Nën hetim për dosjen “Balluku”/ Igli Tare del nga SPAK pas 5 orësh, kyç gojën para gazetarëve

Ish-futbollisti i Kombëtares Igli Tare është paraqitur sërish këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të hetimeve për dosjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Tare është thirrur nga SPAK lidhur me dyshimet për fshehjen e pronësisë së dy vilave që lidhen me hetimin ndaj Ballukut.

Për të dy vilat, SPAK ka vendosur sekuestrimin dhe ka deklaruar se dyshon se pronat reale i përkasin Ballukut, ndërsa në dokumente është përdorur emri i Igli Tares.

Në përfundim, pasi doli nga SPAK, Tare nuk pranoi të flasë për mediat, duke thënë “nuk kam asgjë për të deklaruar”.

Vila e parë u zbulua në Dhërmi, me një vlerë prej 145 mijë eurosh, dhe u sekuestrua në muajin qershor. Prokuroria e Posaçme dyshon se Balluku e ka përfituar vilën si ryshfet për një tender në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol”, me fond limit 88.6 milionë lekë dhe një shtesë kontrate prej 14.1 milionë lekësh në kohën që kur ajo drejtonte “Albcontrol”.

Sipas organit te akuzës, për të fshehur pronësinë reale të vilës, Balluku ka përdorur Igli Taren dhe vartësen e saj në kohën kur drejtonte Albcontrol, shtetasen J.B, përmes kontratave të porosisë dhe qirasë të konsideruara fiktive nga hetuesit.

Ndërsa vila e dytë, në Palasë, iu sekuestrua në shtator. Sipas SPAK, Belinda Balluku dyshohet se e përfitoi vilën në Palasë në këmbim të favorizimit të kompanisë “Alko Impex General Construction” në tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me fond limit rreth 23.5 milionë euro.

Sipas hetimit, investimi në vilë u krye nga pronari i kompanisë fituese, Arbër Abazi, me një vlerë që SPAK e përllogarit nga 288,616 deri në 410,526 euro. Fillimisht, për ndërtimin e saj deri në fazën e karabinasë dyshohet se është përdorur Igli Tare, përmes një kontrate sipërmarrjeje prej 250 mijë eurosh.

About Redaksia

Check Also

Ahmetaj: Rama ka idhull El Chapon! Motoja e tij, “një m… të madh do ta mbulojmë me një tjetër më të madh”

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka bërë një deklaratë të fortë për kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar …