Protesta/ Pralajmmërohet mobilizimi i radhës: Të enjten të gjithë te Parlamenti!

Në ditën e 114-të të protestës kundër qeverisë, aktivisti Edison Lika ka bërë thirrje për një tjetër mobilizim qytetar, këtë herë para Parlamentit.

Lika u ka kërkuar protestuesve që të enjten, në orën 10:00, të mblidhen pranë Kuvendit, pasi sipas tij pritet të diskutohen tre çështje ligjore që janë kundërshtuar prej tyre gjatë protestave.

Bëhet fjalë për ligjin 21/2024, të ashtuquajturën “Paketa e Maleve” dhe ligjin për investitorët strategjikë. Sipas Likës, kërkesa e protestuesve do të jetë shfuqizimi ose anulimi i tyre.

Ai deklaroi se edhe moskalimi i këtyre nismave në komisionet parlamentare do të konsiderohej një rezultat i protestës, pasi sipas tij do të tregonte se presioni qytetar ka dhënë efekt.

“Kjo do të ishte përsëri një fitore për ne”, tha Lika, duke iu referuar mundësisë që projektligjet të mos avancojnë në procedurat parlamentare.

Gjatë fjalës së tij, aktivisti ngriti edhe një pretendim lidhur me ndalimin e protestuesit Mirjan Aliaj pas përfundimit të tubimit të mbrëmshëm. Sipas Likës, Aliaj është ndaluar nga efektivë të forcave “Shqiponja”, pasi kishte filmuar një motor policie, për të cilin ai pretendon se kishte targa false.

Lika e përdori rastin për të kritikuar mënyrën e operimit të forcave të policisë, duke ngritur pikëpyetje mbi përdorimin e mjeteve me targa të paidentifikueshme.

Në fund, aktivisti përsëriti qëndrimin se protesta do të vijojë deri në largimin e qeverisë.

“Ne do të jemi këtu deri në dorëheqjen e Edi Ramës dhe të gjithë qeverisë”, deklaroi ai.

About Redaksia

Check Also

Banda kriminale shtetërore që po kryen vrasje dhe gjobëvënie

Pas vrasjes së Artan Myrtajt në Sarandë ditën e djeshme, mëngjesin e kësaj të hëne …