Rritet misteri, ku ndodhet Vlora Hyseni?!

Nga Belind KELLIÇI

Prej mëngjesit të sotëm kur u bë publik lajmi për masën e sigurisë arrest shtëpie për drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, nuk ka ende asnjë reagim nga kjo zyrtare e lartë, asnjë shpjegim institucional, dhe s’ka informacion se ku ndodhet kjo bashkëpunëtore e ngushtë e Edi Ramës!

Konferenca në Baku të Azerbaxhanit, ku thuhet se ajo merr pjesë, nis sot dhe mbaron nesër. Mirëpo, vendimi ndaj saj është marrë dje. Në këto kushte, rritet misteri.

Përse zonja Hyseni nuk u ndalua dje, përse u lejua të ndërmerrte këtë udhëtim, nëse me të vërtetë ka shkuar në atë samit?!

Ndërkohë që mësohet se vendimet për kontrollet ndaj Prodës, që janë e njëjta çështje, janë marrë dy ditë më parë.

Me pak koordinim dhe shpejtësi, drejtuesja e SHISH do të ishte ndaluar në kohë.

Premisat dhe dyshimet janë se ka një lloj neglizhence që i ka dhënë asaj kohë të mjaftueshme për të lëvizur. Ose ajo ka pasur dijeni për gjithçka dhe ka mundur të shpëtojë.

Megjithatë, ajo është vartësja e Edi Ramës. Dhe ai duhet të përgjigjet.

Ku është  Vlora Hyseni?

Ku ndodhet aktualisht?

A ka përpjekje për t’i shpëtuar arrestit dhe drejtësisë?

Sigurisht, këto pyetje mund t’i drejtoheshin edhe Presidentit të Republikës, nëse ai nuk do të ishte një shërbëtor i bindur i Kryeministrit.

Këto të dhëna e dyshime e thellojnë edhe më shumë skandalin e inkriminimit të shtetit dhe qeverisë në kolonat kryesore, ato të sigurisë kombëtare.

Edi Rama mezi po pret të kthehet në atdhe që ta shkarkojë, por gjasat deri më tani janë se do të firmosë për një fantazëm të arratisur!

About Redaksia

Check Also

Materialet sekrete të Shërbimit Informativ në makinën e Agasit

Hetimi i SPAK për ish-drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ka sjellë në …