Skandali/ Prokurori që u filmua në zyrën e Agasit nuk pranon të pyetet nga SPAK

Në kuadër të hetimit për Ergys Agasin, prokurorët Altin Dumani dhe Bledar Maksuti kanë kërkuar të marrin informacion nga një prokuror i SPAK, i cili pretendohet se ka zhvilluar një takim me Agasin në zyrën e tij në zonën e ish-Bllokut.

Sipas gazetarit Elton Qyno, pas marrjes në pyetje të Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit më 18 gusht, dy oficerë të BKH-së janë dërguar për të pyetur prokurorin. Sipas tij, prokurori ka refuzuar, ndërsa më pas është dërguar edhe një fletëthirrje për t’u paraqitur në BKH, të cilën ai sërish nuk e ka pranuar.

“Pasi kanë pyetur në 18 gusht Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin, dy prokurorët Dumani dhe Maksuti kanë tentuar të pyesin edhe një prokuror tjetër në SPAK, të cilit i kanë dërguar dy oficerë të BKH-së. Ky prokuror ka refuzuar. Më pas është proceduar me formulën standarde të dërgimit të fletëthirrjes për t’u paraqitur në BKH. Sërish prokurori ka refuzuar dhe tanimë jemi në një situatë që brenda në SPAK kemi një përplasje mes prokurorit X dhe Altin Dumanit, që është prokurori i çështjes së Ergys Agasit”, tha Qyno.

Gazetari pretendon gjithashtu se në zyrën e Agasit në ish-Bllok kanë qenë jo vetëm një prokuror i SPAK, por edhe një gjyqtare e GJKKO-së. Sipas tij, takimet janë evidentuar në materiale filmike, ndërsa ende nuk dihet se për çfarë është diskutuar gjatë tyre.

“Sepse një nga prokurorët e SPAK, por edhe një gjyqtare e GJKKO-së, rezultojnë të kenë shkuar në zyrën e Ergys Agasit në zonën e ish-Bllokut dhe kanë marrë një takim me të. Nuk dihet për çfarë kanë folur dhe për çfarë kanë rënë parimisht dakord, por që në kuadër të verifikimit dhe në kuadër të ekzistencës së këtyre videove që i ka bërë vetë Ergys Agasi, sigurisht që është parë e nevojshme nga Altin Dumani që të pyetet ky prokuror.”

Sipas Qynos, prokurori ka kundërshtuar marrjen në pyetje, duke argumentuar se takimi me Agasin nuk përbënte në vetvete arsye për t’u pyetur, pasi në atë kohë biznesmeni nuk ishte nën hetim, në kërkim apo i proceduar.

“Por prokurori ka refuzuar me argumentin se: ‘S’kam pse të pyetem për faktin pse kam takuar një person që nuk ka qenë as nën hetim, as në kërkim, as i proceduar’. Unë këtë prokuror e njoh mirë, është i qëndrueshëm, e njeh ligjin shumë mirë”, deklaroi gazetari.

Deri tani, pretendimet për takimet mes prokurorit, gjyqtares dhe Ergys Agasit nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga SPAK apo GJKKO. Po ashtu, nuk është bërë publike përmbajtja e materialeve filmike të përmendura nga gazetari.

About Krye Redaktor

Check Also

Zhupa: I vetmi akt që i shërben sigurisë kombëtare është dorëheqja e Ramës!

Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës Ina Zhupa e nisi mbledhjen me një …