Ndryshon studioja, jo mashtruesi

Nga Belind KELLIÇI

Edi Rama prej kohësh nuk del para gazetarëve shqiptarë duke shmangur pyetjet që do ta vinin direkt nën akuzë, siç janë ato për Ron Yeffet, apo për Vlora Hysenin. Ai prej javësh nuk jep asnjë sqarim, nuk bën transparencë edhe pse kemi të bëjmë me skandale nga më të rëndat dhe afera që përfshijnë atë vetë.

Ashtu si herën e fundit kur edhe pse lajmëroi një komunikim, pasi doli në dritë se shefja e tij e Shërbimit Sekret kishte ndihmuar një të kërkuar nga drejtësia dhe i kishte dhënë atij materiale të klasifikuara shtetërore, Edi Rama e shmangu ballafaqimin dhe shpërndau një monolog.

Në një intervistë sot për Euronews në Bruksel, edhe pse në një studio dhe vend tjetër, sërish mashtroi dhe nuk tha të vërtetën lidhur me protestën. Moderatorja insistoi tek arsyet pse njerëzit janë ngritur në bulevard prej më shumë se 120 ditësh, por Edi Rama e quaji atë një lëvizje ideologjike.

Pra i dha notat e një mospajtimi ideor me qeverinë.

Në të vërtetë, protesta dhe revolta e njerëzve zien nga skandalet korruptive e kriminale të Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Nuk është në shqetësimin e qytetarëve taksimi i ulët, apo qasja mjedisore. Eshtë vjedhja e taksave të qytetarëve dhe vjedhja e pasurive e tokave dhe bregdetit, madje edhe vjedhja e zonave të mbrojtura.

Do të ishte shumë mirë për Shqipërinë që të kishim një debat, një protestë, apo një përplasje ideologjike.

Por kjo nuk ka si të ndodhë me një qeveri që është në fakt një organizatë kriminale dhe ku gjithë bashkëpunëtorët e ngushtë të Kryeministrit janë nën akuza të rënda.

Nuk është vendi për dallime ideologjike kur Kryeministri mbron korrupsionin me vota në Kuvend dhe pengon drejtësinë duke ruajtur imunitetin dhe pandëshkueshmërinë.

S’ka si të ketë diferenca ideologjike kur sapo arrestohet një koordinator i Edi Ramës për krimin, shfaqet një tjetër për punët e pisëta, që del se e ka përfshirë Shqipërinë në trafik ndërkombëtar armësh.

Këto janë të vërtetat e vendit tonë sot, që Edi Rama i shmang.

Eshtë kjo arsyeja që ai zgjedh një studio në Bruksel që shkon me pyetje deri tek protesta, por edhe aty gënjen.

Por nuk është e largët dita që do të japë llogari për të gjitha këto dëme që i ka bërë Shqipërisë.

About Redaksia

Check Also

Mashtruesi Rama dhe Reforma në Drejtësi!

Nga Petrit VASILI Rama dhe Xhafa u fshehën në 20 korrik se s’donin reformë konsensuale …