Von der Leyen në Tiranë, eurodeputetja gjermane: Shqiptarët nuk e meritojnë qeverinë që kanë!

Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus ka reaguar për vizitën e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Tiranë dhe takimin e saj me kryeministrin Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Paulus shprehet se pret që gjatë bisedimeve mes dy liderëve të ngrihen çështje që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, protestën e qytetarëve dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Të flitet për Vjosë-Nartën dhe flamingot”

Eurodeputetja gjermane kërkon që von der Leyen të diskutojë me Ramën për situatën në zonën e Vjosë-Nartës, duke përmendur veçanërisht mbrojtjen e flamingove dhe specieve të tjera.

“Shpresoj vërtet që ajo të përmendë mbrojtjen e natyrës, konkretisht flamingot dhe speciet e tjera në Vjosë-Nartë”, shkruan Paulus.

Ajo i referohet gjithashtu protestës së qytetarëve, e cila prej 123 ditësh vijon me kërkesa që lidhen me mbrojtjen e zonave natyrore.

“Paketa e maleve duhet të shfuqizohet”

Në reagimin e saj, Paulus ndalet edhe te e ashtuquajtura “paketa e maleve”, për të cilën shprehet se duhet të shfuqizohet.

Sipas eurodeputetes, këto çështje duhet të jenë pjesë e diskutimeve gjatë vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian në Tiranë.

” Shteti i së drejtës nuk është realisht në funksion”

Një tjetër çështje e ngritur prej saj është procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Paulus shprehet se BE-ja përballet me vështirësi në procesin e integrimit të Shqipërisë, duke e lidhur këtë me funksionimin e shtetit të së drejtës.

“Shpresoj gjithashtu që ajo të përmendë vështirësitë që ne, si Bashkim Evropian, kemi me anëtarësimin e Shqipërisë, për sa kohë që shteti i së drejtës nuk është realisht në funksion”, shkruan ajo.

Në fund të reagimit, eurodeputetja deklaron: “Populli i Shqipërisë meriton më shumë se qeveria që ka aktualisht.”

About Redaksia

Check Also

Berisha përshëndet bashkimin e faktorit shqiptar për zgjedhjet në Serbi

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vlerësuar marrëveshjen e arritur nga forcat politike shqiptare …