Balliu para kongresmenëve amerikanë: Dosje me dokumente për narkoshtetin, krimin dhe sigurinë kombëtare

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, zhvilloi sot një takim me një delegacion të kongresmenëve dhe kongresisteve amerikane, ku në fokus ishte situata e sigurisë, krimit të organizuar, korrupsionit dhe funksionimit të institucioneve në Shqipëri.

Balliu u paraqiti përfaqësuesve amerikanë një dosje të plotë me memorandum, dokumente dhe materiale, ku trajtohen çështje që lidhen me atë që ai e cilëson si ‘narkoshteti i Edi Ramës’.

Në qendër të prezantimit ishte raporti mes krimit të organizuar dhe strukturave shtetërore, me referenca ndaj SHISH-it, Policisë së Shtetit, AKSHI-t dhe strukturave të sigurisë kibernetike, si dhe çështja Ergys Agasi–Vlora Hyseni. Memorandumi i dorëzuar trajton këto zhvillime si çështje me implikime për sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët e NATO-s.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e materialit të paraqitur ishte trafiku ndërkombëtar i drogës dhe pastrimi i parave, veçanërisht përmes sektorit të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme. Në memorandum trajtohen edhe pretendimet dhe dokumentacioni që lidhet me Sinaloan dhe kontaktet e përfaqësuesve të saj me nivelet e larta të qeverisjes shqiptare.

Balliu u ndal gjithashtu te çështja KAYO, duke paraqitur shqetësimet e tij mbi integritetin e prokurimeve në sektorin e mbrojtjes dhe implikimet e mundshme për sigurinë kombëtare.

Sipas Balliut, çështjet e paraqitura nuk janë thjesht problem i brendshëm politik, por kanë rëndësi edhe për sigurinë rajonale, NATO-n dhe marrëdhëniet strategjike Shqipëri–SHBA.

Pjesë e rëndësishme e takimit ishte dorëzimi personal i dosjes. Balliu deklaroi se secilit prej kongresmenëve dhe kongresisteve të pranishëm iu dorëzua kopja e plotë e memorandumit, së bashku me dokumentet dhe materialet shoqëruese.

Në përfundim të takimit, Balliu theksoi se ‘sot nuk u paraqita vetëm me deklarata politike, por me një dosje të plotë, me dokumente dhe me fakte’.

About Redaksia

Check Also

Eksperti i IT, Luka Lamaj: Shqipëria Digjitale 3.0 përmes Blockchain-it dhe Inteligjencës Artificiale!

FJALA E EKSPERTIT TË IT, LUKA LAMAJ NË TAKIMIN ME TEMË: ‘E ARDHMJA DIGJITALE E …