Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe Të Drejtat e Njeriut ka miratuar me votat e socialistëve projektligjin për reformën e re administrative-territoriale, duke i hapur përfundimisht rrugë kalimit të nismës për votim në seancë plenare.
Në momentin e zhvillimit të procedurës së votimit, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve nuk ishte i pranishëm asnjë deputet nga radhët e opozitës, e cila ka braktisur procesin parlamentar lidhur me këtë nismë.
Pas miratimit të tekstit në komision, projektligji është proceduar pranë organeve drejtuese të Kuvendit.
Sipas kalendarit të përcaktuar, drafti i reformës administrative-territoriale do të kalojë për votim përfundimtar në seancën plenare të së enjtes, më 8 tetor, ku pritet të votohet nga deputetët.
Projektligji për reformën e re administrativo-territoriale synon të ulë numrin e bashkive në Shqipëri nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 bashkive dhe bashkimit të tyre me bashki më të mëdha fqinje.
Sipas projektligjit të propozuar nga Partia Socialiste, 15 bashkitë që synohet të shkrihen janë:
-Fushë-Arrëzi → bashkohet me Pukën
-Klosi → bashkohet me Matin
-Rrogozhina → bashkohet me Kavajën
-Dimali → bashkohet me Beratin
-Poliçani → bashkohet me Beratin
-Patosi → bashkohet me Fierin
-Divjaka → bashkohet me Lushnjën
-Selenica → bashkohet me Vlorën
-Maliqi → bashkohet me Korçën
-Këlcyra → bashkohet me Përmetin
-Memaliaj → bashkohet me Tepelenën
-Libohova → bashkohet me Gjirokastrën
-Cërriku → bashkohet me Elbasanin
-Belshi → bashkohet me Elbasanin
-Prrenjasi → bashkohet me Librazhdin.
Pra, nga 61 bashki aktualisht, Shqipëria synohet të kalojë në 46 bashki.
Gazeta RD