Spahia: Babëzia nuk ka fund! 365 milionë euro për 17 kilometra rrugë, grabitje e hapur e taksave tona!

Deputeti i PD, Bardh Spahia, ka denoncuar atë që e cilëson si një tjetër aferë korruptive të qeverisë së Edi Ramës, këtë herë lidhur me projektin e rrugës Milot-Balldren.

Spahia akuzon Ramën dhe qeverinë e tij se po u marrin shqiptarëve qindra milionë euro për një rrugë prej vetëm 17 kilometrash, ndërsa kostoja e projektit, sipas tij, është rritur në mënyrë të pajustifikuar nga 161 milionë në 365 milionë euro.

Ai ngre pikëpyetje të forta edhe për 168 milionë eurot e parashikuara për mirëmbajtjen e rrugës, duke e konsideruar këtë një skemë për zhvatjen e parave publike. Sipas Spahisë, përmes garave fiktive, tenderave të anuluar dhe procedurave të paracaktuara, fatura e projektit është fryrë me mbi 200 milionë euro, ndërsa koncesioni është zgjatur nga 13 në 35 vite.

Reagimi i deputetit të PD, Bardh Spahia

​Babëzia nuk ka as fund dhe as turp! Projekti i rrugës Milot-Balldren është prova ulëritëse se si kjo qeveri po zhvat hapur xhepat e qytetarëve shqiptarë.

Për vetëm 17 kilometra asfalt në terren krejtësisht fushorë, fatura është trefishuar paturpësisht nga 161 milionë, në 365 milionë euro!

​Çfarë justifikimi ka që mirëmbajtja e një rruge të kushtojë 168 milionë euro, pothuajse sa vetë ndërtimi i saj? Asnjë! Kjo është thjesht një skemë e pastër vjedhjeje. Përmes garave fiktive, tenderave të anuluar e të paracaktuar në tavolina të fshehta, kostoja u fry me mbi 200 milionë euro dhe barra e koncesionit u zgjat nga 13 në 35 vite. Këta hajdutë në pusjtet po i vjedhin të ardhmen edhe brezave që ende nuk kanë lindur.

​Kjo nuk është qeverisje, kjo është një organizatë kriminale e pandalshme zhvatjeje që pasuron klientelën e saj me paratë e popullit më të varfër në Europë. Një qeveri që nuk ndalet para asnjë abuzimi dhe që ekziston vetëm për të vjedhur, nuk meriton asnjë ditë më shumë në pushtet.

​Është koha t’i themi NDAL këtij korrupsioni gërryes! Largimi i këtij modeli abuziv nuk është më zgjedhje, është detyrim qytetar dhe kombëtar!

Me datë 8 Tetor të gjithë bashkë kundër të keqes më të madhe që po shkatërron vendin tonë!

About Redaksia

Check Also

Rama-Ron Yeffet/ Ish-Prokurori zbërthen skemën e trafikut të armëve dhe hetimet e SPAK

I ftuar në studion e “Top Story” nga Grida Duma, ish-prokurori Eugen Beci foli për …