Protesta qytetare, Kuvendi dhe zgjedhjet e parakohshme

Nga Bujar Leskaj

Protesta qytetare që ka hyrë në ditën e 128-të nuk mund të trajtohet më si një episod kalimtar politik. Kohëzgjatja e saj tregon se ekziston një pakënaqësi e jashtëzakonshme në vend, që kërkon përgjigje institucionale.

Kuvendi ka përgjegjësi të dëgjojë, të diskutojë dhe të reflektojë mbi kërkesat e qytetarëve. Në një demokraci funksionale, protesta është një nga format më të rëndësishme, përmes të cilës qytetarët i kërkojnë institucioneve llogaridhënie. Për këtë arsye, përgjigjja ndaj saj nuk duhet të jetë vetëm retorike. Ajo duhet të jetë parlamentare, institucionale, korrekte dhe konkrete.

I. 128 ditë protestë: sinjal që Kuvendi nuk duhet ta injorojë

Një protestë që vazhdon për 128 ditë rradhazi, tregon se një pjesë e mirë e qytetarëve nuk e konsideron dialogun institucional ekzistues të mjaftueshëm.

Në këto kushte, pyetja nuk duhet të jetë vetëm “Sa protestues janë?”. Pyetja më e rëndësishme është “Pse kjo pakënaqësi po vazhdon dhe pse institucionet nuk kanë arritur ende të krijojnë një kanal bindës dialogu?”

Hapi më i arsyeshëm është që Kuvendi të zhvillojë një diskutim parlamentar të posaçëm mbi kërkesat e protestës qytetare. Dhe ky diskutim nuk duhet të jetë formal.

Diskutimi duhet të ketë:

  • paraqitje të kërkesave të protestuesve;
  • dëgjim të përfaqësuesve të tyre;
  • dëgjim të qëndrimit të qeverisë;
  • diskutim nga grupet parlamentare;
  • ekspertizë kushtetuese dhe zgjedhore;
  • si dhe përfundime dhe rekomandime konkrete.

Nëse Kuvendi nuk është dakord me një kërkesë, duhet të shpjegojë publikisht arsyet. Edhe refuzimi demokratik duhet të jetë i argumentuar.

II. Gjendja politike e agravuar kërkon një qasje të re

Mega-skandali Vlora Hyseni dhe i SHISH-it, si dhe aferat nën hetim të KAYO-s, kanë shtuar shqetësimet publike mbi mënyrën se si funksionojnë institucionet e sigurisë, administrimit shtetëror dhe kontrollit institucional.

Kërkesa për një qeveri teknike pa anëtarë partiakë, duhet të diskutohet politikisht. Një nga kërkesat më të rëndësishme të protestuesve, që lidhet me krizën politike, është ideja e një qeverie teknike, me mandat të kufizuar dhe me objektiv kryesor garantimin e një procesi të besueshëm zgjedhor.

Nëse kjo kërkesë hidhet në tryezën politike, ajo duhet të diskutohet seriozisht, dhe jo të refuzohet automatikisht. Qeveria teknike do të kishte si mision garantimin e neutralitetit të administratës, reformimin e kuadrit zgjedhor, garantimin e kushteve të barabarta për partitë, forcimin e institucioneve zgjedhore dhe përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme.

Po pse kërkohet një qeveri pa anëtarë partiakë? Logjika e kësaj kërkese është krijimi i një besimi minimal politik. Nëse të gjithë anëtarët e një qeverie teknike do të ishin figura të lidhura drejtpërdrejt me partitë politike, do të ishte e vështirë të bindeshin palët se administrata po vepron në mënyrë neutrale.

III. Kodi i ri dhe reforma zgjedhore janë thelbësore në këtë situatë

Një qeveri teknike, nëse do të krijohej, nuk do të kishte kuptim pa një objektiv të qartë reformues. Një nga objektivat kryesore duhet të jetë një Kod i ri Zgjedhor, i ndërtuar për të rritur besimin e qytetarëve tek procesi zgjedhor.

Kodi i ri duhet të përmbajë domosdoshmërisht një sistem proporcional me listë të hapur kandidatësh për deputetë. Qytetarëve u duhen sot më shumë se kurrë deputetë të popullit dhe lista të hapura. Jo lista gjysëm të mbyllura të kryetarëve të partive, që deformuan keqazi përfaqësimin e deputetëve tek qytetarët, pas vitit 2008.

Përfaqësuesit e protestës qytetare katërmujore permanente duhet të vendosin për çdo çështje të tashme dhe të ardhshme politike, krahas partive politike.

Rama ka 83 mandate të kompromentuara, tërësisht të diskredituara, pas një procesi korruptiv zgjedhor të 11 qershorit 2025. Ai nuk mund të flasë në emër të numrave të shumicës parlamentare.

Kodi i ri zgjedhur duhet të trajtojë në mënyrë të plotë çështje si administrimin zgjedhor, financimin e fushatave, përdorimin e burimeve publike, transparencën e financimit politik, mekanizmat e kontrollit, ankesat dhe apelimet, përdorimin e teknologjisë, garantimin e konkurrencës së ndershme, aksesin e barabartë të subjekteve politike dhe parandalimin e keqpërdorimit të administratës, siç ka ndodhur rëndom këto 14 vitet e fundit.

Për  rikthimin e besimit, reforma zgjedhore duhet të bëhet me pjesëmarrjen e partive, përfaqësuesve të protestës qytetare, ekspertëve, shoqërisë civile, akademikëve dhe organizatave që monitorojnë zgjedhjet.

Procesi duhet të jetë transparent dhe konsultues. Kodi zgjedhor duhet të jetë produkt i një konsensusi sa më të gjerë, jo i shumicës parlamentare të rradhës.

IV. Pse zgjedhjet pas një viti mund të shërbejnë si objektiv politik?

Propozimi për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme pas një viti duhet të shihet si një periudhë kompromisi. Një vit do të krijonte kohë për krijimin e një qeverie me mandat të kufizuar, për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, konsultimin publik, ndryshimet ligjore, përgatitjen e administratës zgjedhore, testimin e mekanizmave të rinj dhe përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Kjo duhet të bëhet vetëm brenda kuadrit kushtetues dhe përmes një marrëveshjeje politike të qartë.

Qëllimi është rikthimi i besimit dhe ky është një dallim shumë i rëndësishëm. Një proces i tillë nuk duhet të perceptohet si një mekanizëm për t’i dhënë avantazh një force politike kundrejt një tjetre. Objektivi është që të krijohen rregulla që pranohen nga të gjithë dhe një proces zgjedhor, rezultati i të cilit të jetë më i besueshëm për qytetarët dhe subjektet politike.

Në një demokraci, legjitimiteti i zgjedhjeve është po aq i rëndësishëm sa rezultati i tyre. Nëse protestuesit janë në rrugë dhe partitë janë në konflikt, Kuvendi duhet të jetë vendi ku konflikti politik përkthehet në debat institucional. Kjo është pikërisht arsyeja pse ekziston Parlamenti.

Kuvendi duhet të dëgjojë protestuesit, opozitën, qeverinë dhe shoqërinë civile dhe t’i kthejë kërkesat politike në alternativa konkrete. Nëse kjo nuk ndodh, protesta dhe konflikti politik rrezikojnë të thellohen tek ne.

Një krizë politike nuk zgjidhet vetëm me shumicë votash. Një shumicë parlamentare e ndërtuar me vota të vjedhura apo të grabitura, nuk ka legjitimitet politik. Kur një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë ndjen se nuk dëgjohet, përgjigjja duhet të jetë një dhe vetëm një: dialogu.

Në një situatë kaq të tensionuar si e sotmja, Kuvendi mund dhe duhet të dalë me një paketë veprimesh, e cila duhet të fillojë me një seancë të posaçme për kërkesat e protestuesve.

Së dyti, Kuvendi duhet të mundësojë krijimin e një tryeze të dialogut politik dhe qytetar.

Së treti, ai duhet të shqyrtojë mundësinë për një marrëveshje politike mbi reformën zgjedhore.

Së katërti, Kuvendi duhet të iniciojë një proces të posaçëm për hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor.

xxx

Nëse një protestë vazhdon për muaj të tërë dhe institucionet nuk reagojnë me një proces serioz dialogu, rreziku është që mosbesimi të kthehet në permanent. Kjo dëmton rëndë stabilitetin politik të vendit, klimën e biznesit, imazhin ndërkombëtar, investimet, funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve te demokracia. Zgjidhja mund dhe duhet të vijë vetëm nga Kuvendi!

About Redaksia

Check Also

Revolta qytetare/ 128 ditë protestë: Rama jepe dorëheqjen!

Qytetarët kanë dalë sërish sot në protestë, ditën e 128-të për të kërkuar ‘dorëheqjen e Ramës’. …