Sipas Delina Ibrahimajt sot pas mbledhjes së qeverisë, Shqipëria është në fazat përfundimtare të procedurave për riakreditimin, çka do t’i hapë rrugë rikthimit të fondeve për sektorin e bujqësisë.
“Ne presim finalizimin e procedurave për riakreditimin për dhënien e fondit IPARD. Patjetër që është një proces i cili ka qenë i zgjatur. Kemi pasur dokumentacione për të dorëzuar, por është në fazat finale të tij. Presim që shumë shpejt fondet do të hapen”, deklaroi ministrja.
Ajo e cilësoi IPARD-in si një fond me rëndësi të veçantë për zhvillimin e bujqësisë në vend, duke theksuar se problemet që kanë penguar fondet nuk kanë prekur vetëm Shqipërinë.
“Është një fond shumë i rëndësishëm, i cili ndikon në gjithë zhvillimin e bujqësisë. Shqipëria nuk është vendi i vetëm që ka pasur probleme me IPARD dhe tashmë ato janë të zgjidhura”, tha Ibrahimaj.
Ndërkohë deri më tani s’ka ende lëvizje nga SPAK për këtë dosje me abuzime të frikshme. Miliona euro të BE-së për fermerët shqiptarë kanë përfunduar “rrush e kumbulla” dhe janë përdorur shpesh në investime që s’kanë lidhje me bujqësinë. /Lapsi/
Gazeta RD