Kryetari i PD, Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën socialiste se ka votuar kundër interesave të qytetarëve, duke miratuar reformën territoriale që parashikon shkrirjen e 15 bashkive.
Në konferencën për shtyp, Berisha e cilësoi votimin e zhvilluar pas mesnate si një akt kundër qytetarëve dhe komuniteteve, duke e lidhur atë me korrupsionin dhe, sipas tij, pengmarrjen e deputetëve të PS-së.
Berisha: Mbrëmë pas mesnate, në një akt flagrant antikombëtar, antiqytetar, krimi, pengmarrja dhe ryshfeti, mandatet e krimit u hodhën si shigjeta kundër qytetarëve të 15 bashkive të vendit, për asgjësimin e tyre.
Deputetët e partisë së krimit në unison, shkelmuan interesat e zgjedhësve të tyre.
Të marrë peng me korrupsionin e tyre, me vjedhjet dhe plaçkën që kanë siguruar me mandatin e tyre, ata votuan në një krim kolektiv për asgjesimin e 15 bashkive.
Reforma territoriale është pa dyshim, në raport me qytetarin dhe komunitetet, reforma më e rëndësishme sepse kjo reformë ka të bëjë me vetë qeverisjen e komuniteteve.
Ka të bëjë me qeveritë vendore të tyre, të cilat kanë misionin zhvillimin e territorit të komunitetit.
Kanë mision konservimin e trashëgimisë kulturore historike të komunitetit.
Kanë mision mbrojtjen, zhvillimin e identiteteve të komuniteteve.
Theksoj dhe njëherë, për Shqipërinë, një vend me nevojë jetike për zhvillim, njësitë e qeverisjes vendore janë investitorë kryesorë në zonat e komuniteteve.
Gazeta RD