Deputetja e PD, Jorida Tabaku, paralajmëroi se politikat për pronën dhe territorin rrezikojnë të krijojnë rrugë të privilegjuara për njerëzit me para, ndikim dhe afërsi me vendimmarrjen.
Në rubrikën e saj të përjavshme “Këndi i Fundjavës”, ajo kërkoi transparencë për marrëveshjet e Korporatës së Investimeve Shqiptare dhe garanci për mbrojtjen e pronarëve e të komuniteteve.
“Publikoni vlerësimin e pronës. Publikoni alternativat që janë shqyrtuar. Publikoni kushtet dhe detyrimet. Tregoni përfituesit përfundimtarë”, ishte kërkesa e Tabakut drejtuar kryeministrit, duke i kërkuar të shpjegojë me shifra çfarë fiton publiku nga këto marrëveshje.
Duke iu referuar auditimit të KLSH-së për Korporatën, Tabaku deklaroi se janë konstatuar mangësi në planifikimin e projekteve dhe analizën e rreziqeve e përfitimeve. Për 27 rekomandimet që, sipas saj, përmban raporti, deputetja kërkoi përgjigje konkrete: cilat janë zbatuar, me çfarë masash dhe kush mban përgjegjësi.
Shqetësimin e shtriu edhe te investimet strategjike dhe Paketa e Maleve. Për të parat kërkoi publikimin e detyrimeve të realizuara dhe masave për premtimet e pambajtura. Për Paketën e Maleve ngriti çështjen e verifikimit të posedimit dhe mbrojtjes së pronarëve, veçanërisht të familjeve në emigracion që mund të mos njoftohen në kohë.
“Për mua, një ligj bëhet me porosi kur rregullat përshtaten rreth interesit të një përfituesi dhe interesi publik përdoret si justifikim”, theksoi Tabaku.
Me të njëjtin shqetësim, ajo e lidhi reformën territoriale me pushtetin e komuniteteve mbi tokën dhe zhvillimin e tyre. Sipas saj, largimi i vendimmarrjes nga banorët duhet të shoqërohet me garanci më të forta për përfaqësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Tabaku nënvizoi se prona publike ka vlerë edhe si hapësirë për shkolla, sport dhe shërbime komunitare. Kërkesa e saj për qeverinë ishte e qartë: transparencë për pronat, konkurrencë për projektet dhe përgjegjësi për marrëveshjet.
“Prona është e shqiptarëve. Përgjigjen ua keni borxh shqiptarëve”, përfundoi ajo.
Gazeta RD