Vendimet nuk janë shoqëruar me relacionet përkatëse, megjithëse mund të besohet se argumenti zyrtar për këto ndryshime duhet të jetë vonesa e realizimit të projekteve infrastrukturore për shkak të krizës që ka përfshirë Bashkinë e Tiranës prej mëse dy vitesh, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Një argument i tillë, gjithësesi është i çalë, sepse procesi jetik i ndërtimit të godinave të reja, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, ka qenë mjaftueshmërisht i vonuar, jo vetëm në Tiranën e drejtuar nga Veliaj, por edhe në shumë qytete të tjera të prekura nga dëmtimet.
Dy vendimet që kalojnë përgjegjësinë e Rindërtimit nga Bashkia e Tiranës tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit përkojnë me momentin kur Veliaj ri-mori kompetencat e kryebashkiakut.
Pas arrestimit të tij në shkurt 2025 për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”, Veliaj i kaloi kompetencat e tij nënkryetares, Anuela Ristani, pas një loje nervash me kryeministrin dhe kryetarin e tij të partisë, Edi Rama.
Në shtator 2026, Veliaj, ende në paraburgim, vendosi të shkarkojë Ristanin dhe t’i marrë sërish kompetencat e titullarit. Ristani, nga ana e saj, deklaroi dorëheqjen, duke shmangur kështu një tjetër proces të gjatë ankimimi në gjykatë apo investimi të Këshillit Bashkiak.
Lëvizja e Veliajt u lexua nga shumë komentatorë politikë si një përpjekje e tij për t’i bërë “presion” Gjykatës së Lartë, e cila do të shqyrtonte kërkesën e tij për lirim nga qelia.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konfirmoi masën e arrestit me burg më 15 shtator. Vetëm pak orë më pas, Këshilli i Ministrave, i drejtuar nga zv.kryeministrja Albana Koçiu, nisi ofensivën për heqjen e Bashkisë së Tiranës nga përgjegjësia për tenderat e Rindërtimit.
Veliaj shkarkohet nga “llokma” e Rindërtimit
Në 16 Shtator 2026, Këshilli i Ministrave miraton vendimin “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr.78, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim në njësitë administrative 4 dhe 8, zona “5 maji”, Bashkia Tiranë, dhe caktimin e Bashkisë Tiranë dhe Shoqërisë “Tirana DC”, sh.a., si njësi zbatuese”, të ndryshuar”.
Në vendimin e vitit 2022, Këshilli i Ministrave ia kishte ngarkuar kompetencën e Rindërtimit në kryeqytet kompanisë kontraverse publike, “Tirana DC”. Por, katër vjet më pas, kur shumë ujëra kanë kaluar në Bashkinë e Tiranës, qeveria e Ramës vendosi të bëjë një ndryshim thelbësor.
Në vendimin e 16 shtatorit 2026, kompetenca për të gjithë procedurat e reja të Rindërtimit në zonën “5 Maji” tashmë i kalojnë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, duke shmangur tërësisht krijesën e Erion Veliajt, “Tirana DC”.

Një vendim i ngjashëm u miratua nga Këshilli i Ministrave edhe në 25 Shtator 2026. Në mbledhjen e drejtuar sërish nga zv.kryeministrja Koçiu, qeveria miratoi aktin “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.80, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, njësia administrative 6, zona Kombinat, Bashkia Tiranë, dhe caktimin e Bashkisë tiranë si njësi zbatuese”, të ndryshuar”.
Në këtë vendim caktohet “Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si njësi zbatuese për zbatimin e projekteve të reja, në kuadër të procesit të rindërtimit” në zonën e Njësisë Administrative nr. 6, Kombinat.

Procesi i Rindërtimit u aktivizua në janar 2020, pak javë pasi tërmeti i nëntorit 2019 shkatërroi qindra pallate, ndërtesa private e publike, ndërkohë që mijëra familje mbetën pa strehë, kryesisht në Durrës, Tiranë, Shijak, Kurbin e Kavajë.
Vlera e fondit të Rindërtimit kalon mbi 1 miliard euro, megjithëse një shifër e saktë ende nuk është në gjendje të përcaktohet.
Procesi i Rindërtimit, për shkak të emergjencës, u parashikua që të kryhej me procedura të kufizuara tenderuese, duke ngritur dyshime për abuzime të mëdha. Në hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është konstatuar se kompani të lidhura me grupe të fuqishme kriminale të narko-trafikut kanë përfituar miliona euro, kryesisht nëpërmjet procesit të nënkontraktimit.
Kryeministri Edi Rama ka premtuar shpesh se procesi i Rindërtimit do të mbyllet në një kohë rekord. Por, kur po mbushen 7 vjet nga nisja e tij, mijëra familje vijojnë të jenë ende të pastreha./ Bold News
Gazeta RD