Bashkëkryetari i Reformës Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, kundërshton hartën e re territoriale të propozuar nga PS-ja, duke iu referuar raportit të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, i cili ngre shqetësime për konsultimin me komunitetet e prekura.
Boçi thekson se reforma duhet të garantojë pjesëmarrjen reale të qytetarëve, decentralizimin dhe autonominë e pushtetit vendor. Ai kërkon ndalimin e procesit në formën aktuale dhe publikimin e kritereve mbi të cilat mbështetet propozimi.
“PS mund ta miratojë hartën me votat e saj, por nuk mund ta kthejë imponimin në konsensus”, shprehet Boçi.
Reagimi i plotë:
RAPORTI QË RRËZON HARTËN E PS
Raporti i Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës i jep përgjigjen më të qartë hartës së PS.
Një reformë territoriale nuk mund të vendoset mbi kokat e banorëve dhe të quhet reformë demokratike.
Raporti konstaton se konsultimi për ndryshimin e kufijve vendorë nisi në një fazë të avancuar të procesit dhe nuk duket se u ka garantuar banorëve pjesëmarrje kuptimplotë dhe në kohë.
Më tej, kërkon që komunitetet e prekura të kenë mundësi reale të shprehin qëndrimin e tyre dhe që mendimi i tyre të merret parasysh përpara vendimit përfundimtar.
Ky është thelbi që PS kërkon ta shmangë.
Qytetarët nuk janë dekor për një vendim të marrë paraprakisht.
Bashkitë nuk janë vija në një hartë që qeveria i fshin me shumicën e kartonëve.
Ato janë komunitete me identitet, histori, shërbime dhe të drejtë për të vendosur për të ardhmen e tyre.
Raporti vë në dukje edhe prirjen për përqendrim të kompetencave në Tiranë, burimet e pamjaftueshme financiare të pushtetit vendor dhe kapacitetet e kufizuara të bashkive.
Në vend që të fuqizojë qeverisjen vendore, PS po propozon të largojë vendimmarrjen nga komunitetet dhe ta përqendrojë edhe më shumë atë në qendër.
Këshilli i Evropës kërkon që reforma të mbështetet te decentralizimi dhe subsidiariteti, që burimet financiare të përputhen me përgjegjësitë dhe që konsultimi të jetë real, gjithëpërfshirës e në kohë. Këto kërkesa përplasen drejtpërdrejt me një hartë të përgatitur pa pëlqimin e komuniteteve dhe të paraqitur si zgjidhje të kryer.
Raporti është qartazi një kërkesë politike dhe institucionale.
Pa pjesëmarrjen reale të banorëve, pa autonomi vendore dhe pa decentralizim, reforma humbet legjitimitetin demokratik.
PS mund ta miratojë hartën me votat e saj, por nuk mund ta kthejë imponimin në konsensus.
Prandaj, kjo hartë duhet të ndalet.
Të dëgjohen banorët.
Të publikohen kriteret.
Të provohet se propozimi përmirëson shërbimet, financat dhe përfaqësimin vendor, jo thjesht kontrollin politik nga qendra.
Një reformë që nis duke shpërfillur qytetarët nuk bashkon territorin, por vetëm ua merr atyre të drejtën për të vendosur mbi të.
Gazeta RD