Mediat e huaja jehonë protestës në Tiranë: Studentët kërkojnë rrëzimin e sistemit!

Protesta e studentëve në Tiranë, e zhvilluar pasditen e kësaj të marte para Ministrisë së Arsimit, ka marrë vëmendjen e mediave të huaja. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters dhe agjencia franceze AFP kanë raportuar për tubimin, i cili u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Reuters, në një artikull të publikuar më 13 tetor, shkruan se studentët hodhën tulla dhe blloqe betoni në drejtim të Ministrisë së Arsimit, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion. Sipas agjencisë, disa protestues u shoqëruan nga policia pas përplasjeve.

Në raportimin e saj, Reuters ndalet edhe te arsyet që i nxorën studentët në rrugë. Organizatorët kanë renditur si shqetësime kushtet në universitete, kostot e arsimit të lartë, mbështetjen financiare për studentët dhe mundësitë e punësimit pas diplomimit.

Përtej problematikave që lidhen drejtpërdrejt me arsimin, agjencia vëren se një pjesë e protestuesve shprehën pakënaqësi edhe ndaj qeverisë dhe pabarazisë sociale në vend.

“Shqipërisë i duhet një revolucion, një ndryshim, një përmbysje e plotë e sistemit, sepse nuk mund të vazhdohet më kështu”, citohet të ketë thënë protestuesja Luljeta Kola për Reuters, duke iu referuar padrejtësive sociale dhe hendekut mes të pasurve dhe të varfërve.

Edhe agjencia franceze AFP i ka kushtuar një raportim protestës në kryeqytetin shqiptar. Sipas saj, qindra studentë u mblodhën për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe përmirësimin e arsimit. AFP raporton se policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë, ndërsa protestuesit hodhën gurë dhe thyen xhamat e Ministrisë së Arsimit.

Në raportim përmenden gjithashtu shkulja e kangjellave dhe djegia e koshave të mbeturinave, ndërsa bëhet e ditur se rreth një duzinë personash u arrestuan, sipas raportimeve të cituara nga agjencia.

Ndërkohë, televizioni publik grek ERT ka raportuar gjithashtu për protestën e studentëve shqiptarë, duke vënë në dukje se tubimi ka marrë një karakter më të gjerë kundër qeverisë. Sipas raportimit të tij, të rinjtë kërkojnë jo vetëm përmirësimin e kushteve në universitete, por edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Raportimet ndërkombëtare pasqyrojnë dy dimensione të protestës së kësaj të marte: kërkesat për përmirësimin e arsimit dhe pakënaqësinë më të gjerë politike e sociale të të rinjve.

Ndërsa studentët kërkojnë kushte më të mira studimi, mbështetje financiare dhe më shumë mundësi punësimi, përplasjet para Ministrisë së Arsimit e zhvendosën vëmendjen edhe te përballja me forcat e rendit.

Protesta nisi rreth orës 14:00 dhe u përshkallëzua gjatë pasdites, me ndërhyrjen e policisë dhe përdorimin e gazit lotsjellës. Pas tensioneve para ministrisë, tubimi vijoi edhe në rrugët e kryeqytetit, ndërsa studentët shprehën kundërshtimin ndaj qeverisë dhe klasës politike.

About Redaksia

Check Also

Simbol i rezistencës/ Kush është i riu që grushtoi 6 narkopolicët e regjimit

Klevi Metaj, është i riu që ditën e sotme është kthyer në simbol të protestës …