FRANCE24: Nuk ndalet protesta studentore në Tiranë, BE e alarmuar për përshkallëzimin e dhunës

Protestuesit dhe policia u përleshën të mërkurën në Tiranë, ku u shkaktuan disa zjarre, gjatë ditës së dytë radhazi të dhunës pas tubimeve të studentëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama.

FRANCE24

Njësitë e policisë për ndërhyrje të posaçme përdorën topa uji dhe gaz lotsjellës në përpjekje të përsëritura për të zmbrapsur turmën, e cila përbëhej nga disa qindra persona. Ndërkohë, protestuesit vunë në shënjestër Ministrinë e Arsimit dhe disa biznese, duke thyer vitrinat.

Një natë më parë, ndërtesave qeveritare u ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe më shumë se dymbëdhjetë persona ishin arrestuar, njoftoi policia. Sipas saj, disa persona kishin thyer dyert e bashkisë, kishin ndezur zjarr brenda saj dhe kishin dëmtuar edhe ndërtesa të tjera.

Të mërkurën, dëshmitarët panë dy persona që u ngjitën mbi murin e ndërtesës ku ndodhet Ministria e Arsimit dhe hodhën bomba tymuese brenda saj. Shumë prej dritareve të ndërtesës ishin thyer një ditë më parë, gjatë një proteste.

Dhuna

Pak më vonë, nga një dritare doli një re e dendur tymi të zi. Më pas ndërhynë zjarrfikësit, të cilët arritën t’i shuanin shpejt flakët.

Të martën, qindra persona ishin mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit për të kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe më shumë ndihmë për studentët. Forcat e rendit kishin kryer 16 shoqërime.

Policia deklaroi se atë ditë efektivët e saj ishin përballur me “dhunë të vazhdueshme” dhe ishin goditur me gurë, sende të forta, fishekzjarrë dhe kokteje Molotov nga grupe personash të maskuar.

Të martën, tetë protestues, gjashtë policë, tre gazetarë dhe dy kalimtarë morën ndihmë mjekësore, ndër të tjera për shkak të gazit lotsjellës, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Të mërkurën, një grup burrash u pa pranë Ministrisë së Arsimit duke thyer xhamat e një filiali bankar dhe më pas duke u vënë zjarrin dokumenteve brenda tij. Edhe ky zjarr u vu nën kontroll brenda një kohe të shkurtër.

Flakët përfshinë gjithashtu atë që dukej të ishte një ndërtesë e braktisur, ndërsa protestuesit shkatërronin vitrinat e dyqaneve aty pranë.

Shqetësimi i BE-së

Policia kishte bërë thirrje për qetësi, por atmosfera mbeti e tensionuar gjatë gjithë pasdites.

Bashkimi Evropian, anëtarësimin në të cilin synon Shqipëria, shprehu shqetësimin për atë që e cilësoi si “përshkallëzim të dhunës”.

“Kemi marrë dijeni për pretendimet lidhur me përdorimin e tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve», deklaroi delegacioni i BE-së në Tiranë. Duke kërkuar hetim për këto pretendime, ai u bëri thirrje «të gjitha palëve që të ulin tensionet”.

Këto akte dhune vijnë pas më shumë se katër muajsh protestash kundër qeverisë në këtë vend të vogël të Ballkanit. Protestat u nxitën nga një projekt për ndërtimin e një hoteli luksoz në një rezervat natyror bregdetar, i lidhur me Ivankën, njërën nga dy vajzat e Donald Trumpit, dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner.

Ky projekt ka nxitur zemërim për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe mungesës së transparencës.

Studentët iu bashkuan këtyre kërkesave, ndërsa u shpjeguan mediave shqiptare se tubimi i së martës synonte të denonconte kushtet në universitete, tarifat e studimit dhe mungesën e mbështetjes për të rinjtë.

About Redaksia

Check Also

Policët i kanë thirrur nga rrethet dhe i kanë lënë dy ditë pa ushqim

Policia është dorëzzuar ditën e dytë të protestave masive të studentëve duke mos pasur fuqi …