Një studente, mes të rinjve që protestojnë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, përcolli një mesazh të fortë, mes lotësh dhe zemërimi, duke shprehur zhgënjimin e një brezi që ndihet i braktisur dhe i pasigurt për të ardhmen.
Mes kërkesave të saj ishin dorëheqja e Edi Ramës, përmirësimi i kushteve në konvikte, respektimi i ligjit dhe vendosja e drejtësisë. “Çfarë duam ne? E para, dorëheqjen e Ramës, se na e ka nxirë jetën. E dyta, konviktet të jenë të rregullta. E treta, të respektoni rregullat dhe ligjet, të ketë drejtësi. Mos ushtroni dhunë ndaj popullit kur kërkon të drejtën e vet”, deklaroi ajo.
Momenti më prekës ishte kur e reja tregoi se ndodhet e vetme në Shqipëri, larg familjes, e cila jeton në emigrim. Me lot në sy, ajo foli për vështirësitë e jetës dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.
“Është e dhimbshme të jetosh këtu. Unë këtu nuk kam asnjë familjar. Motrën, vëllanë i kam të larguar. Edhe prindërit në emigrim. Prandaj kam dalë këtu”, tha ajo.
Studentja shprehu gjithashtu zemërimin ndaj asaj që e konsideron si padrejtësi, duke kundërshtuar pasurimin e pushtetarëve me taksat e qytetarëve, ndërsa të rinjtë përballen me paga të ulëta dhe vështirësi ekonomike.
“Bëjmë kulla të bukura. Ku do të arrijmë ta blejmë ndonjëherë kullën e tyre, me 530 mijë lekë në rrogë? Detyrohemi të jetojmë në shtëpi me goca që nuk i njohim fare”, u shpreh ajo.
Në fjalimin e saj, studentja kërkoi edhe largimin e atyre që i konsideron përgjegjës për situatën, duke përdorur gjuhë të ashpër ndaj institucioneve shtetërore. Ndërkohë, për bizneset private që mund të jenë dëmtuar gjatë protestave, kërkoi ndjesë.
Në fund, ajo e bëri të qartë se revolta e të rinjve nuk do të ndalet, pavarësisht përballjes me dhunën. “Le të dhunojnë sa të duan, zërin tonë nuk mund ta mposhtin. Vetëm nëse na vrisni, nuk do të na shihni më këtu. Nuk kemi më çfarë të humbim”, përfundoi studentja.
Gazeta RD