Protesta-revoltë studentore, e ardhmja e demokracisë në Shqipëri!

Nga Bujar Leskaj

Protesta e fuqishme studentore e tri ditëve të fundit është më shumë se sa një reagim ndaj qeverisjes së korruptuar 13 vjeçare të sektit Rama. Ajo nuk është thjesht një ngjarje politike e ditës. Është pasqyrë e gjendjes së vështirë dhe në prag të greminës së shoqërisë shqiptare, ku e ka çuar Rama dhe klonët e tij, me shpopullimin masiv, korrupsionin e pafre në ekonomi, mjekësinë publike, tek AKSHI, në ushtri me KAYO-n dhe me lidhjet me krimin deri tek Shërbimi Infomativ Shtetëror.

Revolta e studentëve ngërthen pakënaqësitë e thella të brezit të ri dhe mungesën e pritshmërive për një të ardhme më të mire në vend. Kur studentët ngrihen për të kërkuar ndryshim, në qendër të debatit nuk është vetëm universiteti, por modeli i shtrembët dhe i dështuar ekonomik, politik, shoqëror dhe institucional që Rama ka ndërtuar në 13 vjet.

Protesta qytetare e mbi 4 muajve, e cila kulmoi me këtë protestë -revoltë qytetare, krahas largimit të Ramës nga kryeministria, pa dyshim do ta shpalosë forcen e vet politike, dinjitoze dhe alternative.

Partia Demokratike duhet të vazhdojë, sikurse po bën tani, që ta mbështesë pa asnjë kusht protestën qytetare dhe studentore, deri në largimin e Ramës. Ajo duhet të vijojë të qartësojë dhe të konsolidojë alternativen e vet, për çdo sfidë sociale dhe ekonomike që po kalon vendi.

Shqipëria ndodhet sot përballë një prej sfidave më të rëndësishme të zhvillimit: si ta bindë brezin e ri se e ardhmja e tij mund të ndërtohet brenda vendit, përmes dijes, punës, meritës dhe pjesëmarrjes qytetare.

Edi Rama dhe sekti i tij në pushtet kanë bërë gjithshka që ta shkatërrojnë këtë bindje, ndërkohë që studentët janë kapitali më i çmuar i Shqipërisë. Pasuritë natyrore, infrastruktura, investimet dhe turizmi kanë rëndësi për zhvillimin ekonomik. Por kapitali më i rëndësishëm i një vendi mbetet kapitali njerëzor: njerëzit e arsimuar, profesionistët e aftë, sipërmarrësit novatorë dhe qytetarët që besojnë te institucionet.

Një student që përfundon universitetin nuk duhet të jetë i detyruar të zgjedhë ndërmjet emigrimit dhe një pune që nuk përputhet me formimin e tij. Ai duhet të ketë mundësinë të gjejë punë dinjitoze, të paguhet në përputhje me aftësitë, të krijojë një sipërmarrje dhe të ndërtojë një familje me perspektivë.

Kur të rinjtë largohen për shkak të mungesës së mundësive, Shqipëria humbet jo vetëm popullsi, por edhe vite arsimimi, potencial prodhues, ide të reja dhe kontributin e ardhshëm në sistemin e pensioneve dhe në financat publike. Rama këtë humbje kolosale jo vetëm e ka shpërfillur, por edhe e ka nxitur me qëndrimin arrogant ndaj studentëve dhe kërkesave të tyre.

Prandaj, çdo protestë studentore duhet të lexohet edhe si një thirrje për një politikë kombëtare të kapitalit njerëzor. Një nga detyrat kryesore të shtetit është të garantojë që mundësitë për arsimim cilësor të mos varen nga pasuria e familjes, vendbanimi apo lidhjet personale.

Studentët nga familjet me të ardhura të ulëta nuk duhet të përballen me pengesa që i detyrojnë të heqin dorë nga studimet. Bursat, konviktet me kushte dinjitoze, transporti, mbështetja sociale dhe shërbimet universitare duhet të jenë pjesë e një sistemi që e vendos studentin në qendër. Këtë plan Partia Demokratike duhet ta qartësojë, ta plotësojë dhe ta detajojë sa më shpejt.

Mbështetja financiare nga Buxheti i Shtetit nuk mjafton. Universitetet duhet të ofrojnë programe bashkëkohore, laboratorë funksionalë, pedagogë të kualifikuar, kërkim shkencor dhe lidhje reale me tregun e punës.

Diploma duhet të përfaqësojë dije dhe kompetenca, jo thjesht një dokument përfundimi studimesh. Një Shqipëri që synon integrimin europian duhet ta trajtojë arsimin si investim strategjik, jo si një zë shpenzimi që vlerësohet vetëm nga kostoja e tij vjetore dhe sa here studentët protestojnë.

Historia e Shqipërisë dëshmon se studentët mund të luajnë rol vendimtar në kthesat e mëdha politike dhe shoqërore. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990 mbetet një nga momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të vendit drejt pluralizmit politik. Edhe këto ditë me protestën-revoltë e fuqishme studentore, p֝ërbëjnë një transformim epokal të dytë për Shqipërinë dhe të ardhmen e demokracisë së konsoliduar të saj. Prandaj dhe ne duhet që, që të gjithë, militantë, përkrahës të PD-së dhe qytetarë të paangazhuar, t’i mbështesim plotësisht dhe fuqimisht studentët në kauzën dhe kërkesat e tyre!

About Redaksia

Check Also

Sot është turp të jesh socialist!

Nga Irena BEQIRAJ Teksa shikoj videot e të rinjve që hiqen zvarrë, ndiej turp për …