Logu: Gatishmëri 24/7 për mbrojtjen ligjore të protestuesve, do të ndjekim çdo shkelje. Rama nuk mund ta shuajë protestën me frikë, arrestime dhe dhunë

Deklarata e Sekretarit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, Marash Logu:

Mirëdita!

Partia Demokratike është në gatishmëri të plotë për të garantuar mbrojtjen ligjore të çdo qytetari që përballet me represionin shtetëror për shkak të ushtrimit të së drejtës kushtetuese për të protestuar.

Gjatë katër ditëve të protestave studentore, qindra qytetarë u shoqëruan dhe u arrestuan nga Policia e Shtetit. Përballë kësaj situate, ne nuk jemi mjaftuar vetëm me deklarata politike. Kemi vënë në dispozicion një ekip avokatësh, në gatishmëri 24 orë në 7 ditë të javës, për të mbrojtur protestuesit në çdo fazë të procesit ligjor.

Ekipi ynë ka përfaqësuar sot protestuesit në Gjykatën e Tiranës dhe, sapo të zbardhet vendimi i arsyetuar, do të ankimojë masat e sigurimit që i konsiderojmë të paligjshme dhe të pajustifikuara, pavarësisht se përveç një protestuesi, të gjithë të tjerët janë liruar me masa më të buta.

Qeveria nuk mund ta shuajë protestën përmes frikës, arrestimeve dhe dhunës policore. Policia është e detyruar të zbatojë ligjin, jo të shërbejë si instrument presioni ndaj qytetarëve. Çdo rast i dhunës dhe çdo shkelje e të drejtave të protestuesve duhet të hetohet dhe të ndëshkohet sipas ligjit.

Mesazhi ynë është i drejtpërdrejtë: protesta nuk është krim, dhuna policore nuk është zbatim i ligjit dhe askush nuk është mbi Kushtetutën.

Çdo student dhe çdo qytetar duhet ta dijë se nuk është vetëm.

Partia Demokratike do të ndjekë çdo shkelje, do të përdorë çdo mjet ligjor dhe nuk do të lejojë që e drejta për të protestuar të kthehet në shkak për persekutim.

Ne jemi në gatishmëri. Jemi në krah të qytetarëve dhe do të jemi përballë çdo abuzimi me pushtetin deri në dorëheqjen e Edi Ramës!

Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Dhunë barbare ndaj protestuesit, grupi i banditëve të Ramës e godasin papushim

Një tjetër episod dhune është regjistruar gjatë protestës së studentëve pranë Kryeministrisë, ku efektivë të …