Prof. Myqerem Tafaj
Studentët dhe gjimnazistët nuk kërkojnë thjesht shkollim më të mirë në shkollat dhe universitetet tona, kushte dinjitoze, mbështetje për të përballuar koston marramendëse të jetesës gjatë studimeve, treg pune të bazuar në meritokraci, shpresë për të ardhmen në vendin e tyre dhe jo emigrim, por, mbi të gjitha, një zgjidhje politike të qendrueshme për një Shqipëri Europiane. E gjithë Shqipëria kërkon zgjidhje të menjëhershme politike dhe rotacion politik paqësor.
Kjo qeveri ka dalë nga zgjedhje farsë, të cilësuara jo të lira e të ndershme edhe nga raportet ndërkombëtare; ajo nuk gëzon besimin e qytetarëve dhe nuk ka legjitimitet për të qeverisur. Rama, qeveria e tij dhe PS duhet të kuptojnë, sa më shpejt, se kjo protestë historike e udhëhequr nga studentët dhe gjimnazistët dhe e mbështetur masivisht nga gjithë qytetarët, nuk mund të shtypet as me polici, as me ushtri, as me tanke dhe as me blinda, madje as me shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.
Protesta të tilla i shtypin vetëm regjimet diktatorale. Shqipëria ka hapur negociatat dhe synon të integrohet në BE dhe jo të shndërohet në vend diktatoral. Prandaj ndaloni menjëherë dhunën dhe reprezaljet ndaj gjimnazistëve, studentëve dhe rinisë në protestë. Fatmirësisht edhe mësuesit dhe pedagogët janë me nxënësit dhe studentët e tyre në protestë, sic bëri shumica e pedagogëve tanë në Dhjetorin ’90.
Zgjidhja politike bêhet e mundur vetëm me një qeveri teknike që krijon kushte reale për zgjedhje të lira dhe të ndershme! Rrugë tjetër nuk ka.
Miqtë dhe aleatët tanë duhet të kontribuojnë për një zgjidhje politike në Shqipëri.
Historia e shkurtër e demokracisë sonë ka patur kriza të thella politike, që janë zgjidhur me vonesë dhe i kanë kushtuar rëndë vendit tonë. Por prej tyre duhen nxjerrë mësime nga qeveria, maxhoranca, gjithë faktorët politikë, si dhe aleatët tanë për të mos përsëritur zgjidhjet e vonuara politike.
Intelektualët, media dhe shoqëria civile mund të japin kontributin e tyre për njē zgjidhje politike. Për cdo kryeministër, qeveri dhe parti politike, Shqipëria duhet të jetë mbi interesin për pushtet!
Gazeta RD