Sula: Paniku i Ramës nga protesta e të rinjve po e çon drejt marrëzive, koha për dorëheqje!

DEKLARATË PËR MEDIA DREJTUESJA E DEPARTAMENTIT TË ARSIMIT NË PD, LILI SULA

Të nderuar studentë dhe të rinj në protestë,

sot gjykata shpalli masat e sigurisë ndaj protestuesve, duke pranuar në rreth 90% të rasteve kërkesat e prokurorisë për  mbajtjen në arrest pa afat dhe burgimin për 21 ditë të të rinjve që dolën në protestë.

Mbajtja në arrest e studentëve dhe gjimnazistëve dhe dënimi i tyre me burg, pa prova dhe bazë faktike të këtyre masave, përbëjnë një goditje të rëndë ndaj të drejtës për të protestuar dhe për të shprehur lirisht pakënaqësinë dhe revoltën qytetare.

Absurditeti shkon deri në vendimet që merr Gjykata për të mbajtur të rinjtë në burg me pretendimin se nuk kanë dokumentin që vërteton statusin e studentit.

Në fakt, ky dokument shkarkohet nëpërmjet portalit e-Albania, por të rinjtë nuk mund ta sigurojnë në kushtet kur u ndalohet përdorimi i celularit.

Si mund të përdoret kundër një studenti mungesa e një dokumenti që ai nuk ka mundësi ta sigurojë në ato rrethana? A mund të shndërrohet një pengesë burokratike në arsye për t’i hequr lirinë një të riu?

Vendimet e sotme për rreth 50 studentë e gjimnazistë ngrenë sërish çështjen  e pavarësisë së drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të individit.

Gjykata nuk duhet të bëhet pjesë e pushtetit dhe as të dënojë studentët që guxojnë të kundërshtojnë.

Gjyqësori  duhet të garantojë ligjshmërinë, paanshmërinë dhe lirinë e çdo qytetari, veçanërisht kur bëhet fjalë për të drejtën kushtetuese të protestës për studentët.

Paniku qe ka zëne Edi Ramën nga protesta e studentëve e shtyn të bëjë marrëzi pas marrëzie dhe të ushtroje presione edhe dënime me burg të të rinjve.

Por, dënimet pa prova i studentëve dhe gjimnazistëve është burim kuraje e force që qindra mijëra studentë te tjerë e bashkë me to prindër e qytetare t’i bashkohen ortekut të rinisë deri në rrëzimin e Edi Ramës.

Prandaj, sot më shumë se kurrë, nevojitet solidariteti me studentët prej pedagogëve, mësuesve, prindërve dhe çdo qytetari.

Edi Rama duhet ta kuptojë se burgosja e të rinjve nuk e burgos dot të ardhmen e Shqipërisë!

Çdo masë e padrejtë, çdo presion dhe çdo përpjekje për të frikësuar studentët vetëm sa e shton zemërimin qytetar dhe e zgjeron rrethin e solidaritetit me ta.

Asnjë pushtet nuk mund ta ndalë pafundësisht një revoltë që ushqehet nga padrejtësia, mungesa e shpresës dhe kërkesa për dinjitet.

Edi Rama, jepu fund presioneve, merr përgjegjësinë politike dhe jep dorëheqjen!

About Redaksia

Check Also

Video/ Merr flakë polici në Bulevard

Një punonjës policie është përfshirë nga flakët gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit …