Bardhi: Edi Rama, koha jote ka mbaruar! Kërcënimet ndaj studentëve, të rinjve dhe prindërve të tyre, nuk trembin askënd

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj kërcënimeve të Edi Ramës për përjashtimin e studentëve nga shkollat, largimin nga konviktet dhe heqjen e bursave, si dhe ndaj paralajmërimeve për faturimin e dëmeve të protestave te prindërit e gjimnazistëve.

Në postimin e tij në Facebook, Bardhi e ka krahasuar gjuhën e kryeministrit me atë të diktatorit bjellorus Aleksandër Lukashenko, duke deklaruar se kërcënimet nuk i trembin më të rinjtë.

“Edi Rama, koha jote ka mbaruar! Shqipëria nuk është Bjellorusia e Lukashenkos!”, shkruan Bardhi, i cili thekson se kryeministri nuk ka kompetencë të vendosë për përjashtimet nga universitetet apo përgjegjësitë financiare të familjeve. Ai u bën thirrje të rinjve të mos tërhiqen përballë presionit dhe nënvizon se e drejta për të protestuar nuk mund të ndëshkohet me kërcënime ndaj shkollimit apo familjeve të tyre.

Postimi

EDI RAMA, KOHA JOTE KA MBARUAR! SHQIPËRIA NUK ËSHTË BJELLORUSIA E LUKASHENKOS!

Shqipëria nuk mund të digjet për karrigen e Edi Ramës dhe të askujt tjetër!

Kërcënimet e tua ndaj studentëve, të rinjve dhe prindërve të tyre nuk trembin më askënd! Gjuha jote represive ka ZERO vlerë juridike, ZERO autoritet mbi universitetet dhe ZERO fuqi për të zëvendësuar drejtësinë.

Sot, Edi Rama kërcënoi studentët me përjashtime nga shkolla, largimin nga konviktet dhe heqjen e bursave, ndërsa prindërit e gjimnazistëve me faturat e dëmeve të protestave.

Kjo është gjuha e Lukashenkos!

Në tetor 2020, diktatori bjellorus urdhëroi përjashtimin nga universitetet të studentëve që protestonin kundër tij dhe u kërkoi prindërve t’i largonin fëmijët nga rrugët.

Sot, Edi Rama përdor të njëjtën gjuhë represive për të kërcënuar studentët me shkollimin dhe për të frikësuar prindërit me pasoja financiare, por Edi Rama nuk është as gjykatës, as rektor! Ai është sot thjesht kryeministri më i urryer në Europë!

Edi Rama, ti nuk je gjykatë! Nuk mund të shpallësh fajtorë, të përcaktosh përgjegjësi financiare dhe të ngarkosh prindërit me detyrime sipas dëshirës tënde. Asgjë nuk u bën dot, u merr të keqen!

Edi Rama, ti nuk je rektor! Nuk ke kompetencë të përjashtosh studentë apo të vendosësh masa disiplinore ndaj tyre. Autonomia universitare garantohet nga Kushtetuta. Sado nën kontroll t’i kesh ti rektorët, asgjë s’u bën dot studentëve, u merr të keqen!

Edi Rama, ti nuk je as pronari i bursave! Mbështetja financiare e studentëve përcaktohet nga ligji dhe jo nga urrejtja dhe zemërimi i një kryeministri të mbaruar. Ta mban ta ndryshosh ligjin?

Dhe mbi të gjitha, ti, Edi Rama, nuk je pronari i Shqipërisë!

Për fatin e madh të Shqipërisë, rinia tregoi se nuk është pronë e pushtetit dhe se ajo refuzon të sundohet nga një kryeministër i korruptuar.

Asnjë hap pas! Asnjë tërheqje përballë shantazhit!

Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë llogari dhe të kundërshtojnë pushtetin pa u kërcënuar për shkollimin apo familjet e tyre.

Në 13 vite pushtet, ti, Edi Rama, i ke bërë dëme të mëdha vendit, ke sunduar siç ke dashur, ke plaçkitur këtë vend sa ke dashur dhe me kë ke dashur. Por sot ke përballë një brez që nuk e sundon dot, sepse nuk të ka më frikë!

Edi Rama, ti mund të blesh mercenarë kundër popullit, por ti di diçka më mirë se kushdo: Koha jote ka marrë fund! 

About Redaksia

Check Also

Emigrantët në Vjenës protestojnë kundër Edi Ramës

Protesta e shqiptarëve kundër Edi Ramës është shtrirë edhe jashtë Shqipërisë. Sot bashkëkombësit tanë kanë …