Kosova mbështet studentët/ Albulena Haxhiu: Arroganca vetëm i nxit protestat, duhen degjuar

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke kërkuar nga institucionet shqiptare që të dëgjojnë dhe të trajtojnë kërkesat e studentëve protestues.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu u shpreh se zhvillimet në Shqipëri ndiqen me shqetësim edhe në Kosovë, duke theksuar lidhjen mes dy vendeve.

“Secili në Kosovë i ka përcjellë zhvillimet në Shqipëri. Ajo çfarë po ndodh atje sigurisht që na shqetëson të gjithëve, sepse Shqipëria për ne është shtëpi”, tha ajo.

Haxhiu theksoi se Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e Shqipërisë kanë përgjegjësinë të trajtojnë kërkesat e studentëve. Ajo u shpreh kundër dhunës, duke nënvizuar se ajo duhet të ndalet nga të dyja palët.

“Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e kanë për obligim që t’i trajtojnë kërkesat e studentëve. Natyrisht që ne nuk e mbështesim dhunën, ajo duhet të ndalohet nga të dyja palët”, deklaroi kryeparlamentarja e Kosovës.

Ajo kërkoi gjithashtu një qasje serioze nga institucionet shqiptare ndaj protestave, duke paralajmëruar se qëndrimet arrogante mund të shtojnë pakënaqësinë.

“Është e rëndësishme qasja serioze në raport me këto protesta – jo arroganca. Mendoj që arroganca vetëm i nxit protestat”, u shpreh Haxhiu.

About Krye Redaktor

Check Also

2500 euro çdo polici për të dhunuar rininë/ Reagimi i Kedhit për vendimin e Ramës

Deklarata e nënkryetarit të PD, Nikola Kedhi: Sot Edi Rama u tha policëve të Shqipërisë …