Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të kryeministrit Edi Rama për të shpërblyer me 2,500 euro efektivët e Policisë së Shtetit që angazhohen në vijën e parë gjatë protestave të studentëve.
Bardhi e lidh këtë premtim financiar me përplasjet e ditëve të fundit mes policisë dhe të rinjve që kanë dalë në rrugë, duke akuzuar qeverinë se po përdor uniformat blu për të mbajtur në këmbë pushtetin.
Në reagimin e tij, demokrati vendos në të njëjtën linjë mbrojtjen parlamentare që, sipas tij, iu bë Belinda Ballukut për të penguar arrestimin e saj dhe ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve. Ai e përshkruan këtë si kalim nga “dhuna e kartonëve” në “dhunën e uniformave”.
Bardhi thekson se Policia e Shtetit financohet nga taksat e qytetarëve dhe se detyra e saj duhet të jetë zbatimi i ligjit dhe garantimi i sigurisë publike, jo mbrojtja e interesave të qeveritarëve.
Ai akuzon Ramën dhe Ballukun se po e kthejnë policinë në një mburojë për pushtetin, ndërsa bonusin e premtuar për efektivët e cilëson si shpërblim me prapavijë politike.
Në fund të reagimit, Bardhi paralajmëron se, sipas tij, pagesat shtesë mund ta zgjasin përkohësisht situatën, por nuk mund të shuajnë pakënaqësinë e protestuesve.
Ai e mbyll mesazhin me akuzën se qeveria po mbështetet gjithnjë e më shumë te forca policore për të përballuar kundërshtimin publik.
Gazeta RD