“Rama ka bërë vetëm monolog”/ Pedagogia Enkelejda Olldashi: Jemi me studentët dhe i mbështesim

Pedagogia Enkelejda Olldashi ka marshuar sot në mbështetje të studentëve, duke përcjellë një mesazh të fortë për rininë, protestën dhe mungesën e dialogut me qeverinë.

Në një prononcim për mediat, Olldashi u shpreh se pedagogët duhet të ishin bashkuar me studentët që në ditën e parë të protestës. Sipas saj, prania e tyre në shesh është një mënyrë për t’u treguar të rinjve se nuk janë vetëm në kërkesat dhe kauzën e tyre.

Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, kryeministri Edi Rama komunikon me publikun, duke e cilësuar atë si një formë monologu dhe jo dialogu.

Olldashi ironizoi edhe angazhimin e kryeministrit në politikë, duke thënë se mund t’i rikthehet një ditë Akademisë së Arteve.

Në përfundim, ajo u ndal te rëndësia e reagimit të të rinjve, duke theksuar se përtej protestës dhe revoltës, kjo lëvizje duhet të shërbejë edhe si një thirrje për reflektim.

“Kam përshtypjen se ju gazetarët keni qenë syri i të gjithë shqiptarëve dhe besoj se duhet të jua bëj unë pyetjen çfarë është duke ndodhur? Pedagogët duhet të ishin në shesh me studentët që ditën e parë. Por edhe thirrja që ne kemi bërë të bashkohemi do të thotë të bashkohemi si grup i vetëm për ti treguar studentëve që jemi me ta.

Dhe sot është për të treguar që ne jemi këtu me ju për ju. Kuptimi i fjalës dialog është e kundërta e fjalë monolog dhe nëse gjatë gjithë kohës ka pasur monolog do të thotë që nuk ka vend për dialog. Në fakt Rama ka bërë monolog dhe është one men show dhe e bën shumë bukur atë rol dhe e ka perfektë. Dhe besoj se në ndonjë moment të jetë do i kthehet akademisë së arteve.

Kryeministrit të sotëm dua t’i kujtoj se është kryeministri që ka protestuar dhe është rrahur. Vetë ka qenë protestues. Unë nuk jam pjesë e oborrit perandorak të tij, por rinia përveç këtij manifestimi apo revolte të arrij t’i nxjerrë ndërgjegjen në pah, ai duhet të jetë falënderues”, tha ajo.

About Redaksia

Check Also

Prokurori Arbër Berexha liron menjëherë protestuesit: Arrestime të paligjshme!

Nga Boldnews.al Prokurori i Tiranës, Arbër Berexha, ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të një grupi të …