Protestat/ Bajaziti për radion belge: Durimi ka mbaruar, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës!

Protestat në Shqipëri po marrin jehonë edhe përtej kufijve, duke tërhequr vëmendjen e mediave të huaja. Zhvillimet politike në vend dhe pakënaqësia e qytetarëve ndaj qeverisë janë diskutuar edhe në radion belge Radio 1, ku nënkryetarja e Partisë Demokratike, Erisa Bajaziti, ka folur për arsyet që kanë nxitur protestat dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama.

E pyetur se përse protestat janë kaq të forta, Bajaziti deklaroi se qytetarët janë lodhur nga qeverisja, duke renditur korrupsionin dhe mungesën e shtetit të së drejtës si faktorë kryesorë të zemërimit qytetar.

Ajo theksoi se Rama është në pushtet prej 13 vitesh dhe ndodhet në mandatin e tij të katërt, ndërsa theksoi se zgjedhjet e fundit nuk ishin të lira. Bajaziti, e cila kandidoi si deputete për Partinë Demokratike në këto zgjedhje, tha se punonjësit e administratës publike ishin përballur me presion dhe frikë për humbjen e vendeve të punës.

Sipas saj, mungesa e ndarjes mes shtetit dhe partisë në pushtet, si dhe skandalet e korrupsionit ndër vite, kanë thelluar pakënaqësinë e qytetarëve.

“Njerëzit nuk duan të tregojnë më durim dhe nuk shohin më perspektivë për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin e tyre”, u shpreh Bajaziti, duke shpjeguar arsyet që kanë nxitur qytetarët të dalin në rrugë.

Pjesë nga intervista:

Gazetarja: Erisa Bajaziti, mirëdita!

Erisa Bajaziti: Mirëdita!

Gazetarja: Ju jeni shqiptare, jetoni këtu në vendin tonë dhe jeni gjithashtu nënkryetare e Partisë Demokratike në Shqipëri, partisë më të madhe opozitare në vend. Mesazhi i qytetarëve që dalin në rrugë është shumë i qartë, por a mund të na shpjegoni pse këto protesta janë kaq të forta?

Erisa Bajaziti: Po. Në një farë mënyre, vetë qytetarët që dalin në rrugë e thonë këtë. Ata janë lodhur nga qeveria për shkak të zhvillimeve që lidhen me korrupsionin dhe mungesën e shtetit të së drejtës. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.

Kryeministri është aktualisht në mandatin e tij të katërt në pushtet, pra prej 13 vitesh në krye të qeverisë.

Edhe zgjedhjet e fundit, në të cilat mora pjesë personalisht si kandidate e Partisë Demokratike, natyrisht që nuk ishin zgjedhje të lira. Për shembull, punonjësit e administratës publike u vunë nën presion dhe kishin frikë se mund të humbnin vendet e tyre të punës.

Nuk kishte asnjë ndarje mes shtetit dhe partisë. Të gjitha këto rrethana, natyrisht, kanë nxitur zemërimin e qytetarëve.

Skandalet e korrupsionit e kanë shoqëruar qeverinë gjatë këtyre 13 viteve. Tani ka ardhur momenti kur njerëzit nuk duan të tregojnë më durim dhe nuk shohin më perspektivë për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin e tyre.

About Redaksia

Check Also

Berisha: I them zonjës Hoxha të Top Turpit, hiq dorë nga përdorimi i medias si hanxhar kundër protestuesve!

Kryetari PD, Sali Berisha tha se, i them zonjës Hoxha të Top Turpit, hiq dorë …