46-vjeçari që u gjet i vrarë në makinë, shofer i deputetit të PS

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e 20 tetorit në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku 46-vjeçari Ismet Habili, u gjet pa shenja jete brenda automjetit të tij, tip “Volvo”.

Sipas Politiko.al, Ismet Habili punonte si shofer i deputetit të Partisë Socialiste, Eduart Shalsi.  Po të njëjtat burime, konfirmojnë se kontaktet e fundit telefonike të Habilit kanë qenë me bashkëshorten e tij dhe se deri më tani nuk raportohet për një shkak që mund ta ketë çuar 46-vjeçarin drejt aktit ekstrem.
Ismet Habili

Ndërkohë, në njoftimin paraprak për ngjarjen, policia njoftoi fillimisht se bëhej fjalë për një atentat, ku Habili ishte vrarë me armë zjarri.

“Më datë 20.10.2026, rreth orës 20:20, në Sallën Operative është marrë njoftim për një automjet të aksidentuar në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë konstatuar brenda automjetit tip “Volvo”, shtetasin I. H., pa shenja jete, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.“, njoftoi fillimisht policia.

Pamje nga vendngjarja

Megjithatë pak çaste më vonë, në një njoftim të dytë, uniformat blu hodhën poshtë verisonin e atentatit, duke deklaruar se Ismet Habili ishte vetëvrarë.

Sipas njoftimit, gjatë kontrollit në automjetin e viktimës u gjetën dhe u sekuestruan një pistoletë dhe një gëzhojë.

“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur në rrugën “Mihal Popi”, ku u gjet pa shenja jete, brenda automjetit, shtetasi I. H., ju bëjmë me dije se:

Gjatë kontrollit në automjet, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një gëzhojë.

Nga veprimet e para hetimore dhe procedurale të kryera, dyshohet se shtetasi I. H., 46 vjeç, mund të jetë vetëvrarë.”–  thuhej në njoftimin e policisë.

Dy versionet e policisë kanë lënë pikëpyetje mbi dinamikën e rastit, teksa po mbrëmjen e kaluar janë publikuar videot nga vendi i ngjarjes, ku duket se policia ka larguar menjëherë nga zona e krimit, makinën brenda së cilës u gjet i vdekur Habili.

Mbetet ende e paqartë nëse puna e Ismet Habilit si shofer i deputetit socialist lidhet me ngjarjen. Ndërkohë, dy versionet e ndryshme të Policisë për vdekjen e tij ngrenë pikëpyetje, të cilat pritet të marrin përgjigje në vijim të hetimeve.

About Redaksia

Check Also

Berisha: I them zonjës Hoxha të Top Turpit, hiq dorë nga përdorimi i medias si hanxhar kundër protestuesve!

Kryetari PD, Sali Berisha tha se, i them zonjës Hoxha të Top Turpit, hiq dorë …