Raportuesi i PPE për Shqipërinë: Zëri i studentëve duhet të dëgjohet!

Andrey Kovatchev, raportues i Partisë Popullore Evropiane (PPE) për Shqipërinë, ka reaguar lidhur me protestat e studentëve dhe të rinjve që prej ditësh po zhvillohen në vend.

Në mesazhin e tij, Kovatchev thekson se kërkesat e të rinjve shkojnë përtej premtimeve politike, duke përfshirë përgjegjësinë e institucioneve, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e demokracisë e të shtetit të së drejtës.

Ai nënvizon se zëri i protestuesve duhet të dëgjohet dhe shqetësimet e tyre të trajtohen seriozisht nga autoritetet.

“Të rinjtë shqiptarë kërkojnë më shumë se premtime: ata duan llogaridhënie, fundin e korrupsionit dhe një të ardhme evropiane të ndërtuar mbi demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Zëri i tyre duhet të dëgjohet, shqetësimet e tyre të merren seriozisht dhe e drejta e tyre për të sfiduar në mënyrë paqësore ata që janë në pushtet të mbrohet.

Liria e tubimit dhe e shprehjes duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore. Dhuna është e papranueshme, qoftë nga protestuesit apo nga organet ligjzbatuese, dhe të gjitha pretendimet për raste dhune duhet të hetohen, duke garantuar respektimin e procesit të rregullt ligjor dhe llogaridhënien.

Evropa dëshiron të mirëpresë një Shqipëri të përkushtuar ndaj vlerave tona evropiane.”, shprehet Kovatchev.

Reagimi i eurodeputetit vjen në një kohë kur protestat e studentëve dhe të rinjve vijojnë, me kërkesa për përgjegjësi politike dhe ndryshime në qeverisje.

About Redaksia

Check Also

Tjetër reagim i fortë nga SHBA/ Senatorja: Mbroni qytetarët nga dhuna policore dhe luftoni korrupsionin

Senatorja amerikane Elissa Slotkin ka reaguar për situatën e protestave në Shqipëri, duke i bërë …