Qeveritë bien bashkë me bëmat e tyre! A do të ndodhë kjo edhe me pseudoreformën e njëanshme territoriale?

Nga Ylli ASLLANI

Po, kjo është e mundur nëse institucionet e ‘pavarura’ veprojnë për të garantuar zbatimin e Kushtetutës, dëgjojnë komunitetet dhe rishqyrtojnë një vendim që ka prodhuar kaq shumë kundërshtim.
Vendimi i tyre do të jëtë sfidë për moralin dhe mbijetesën e regjimit!
Por deri ku mund të shkojë arroganca e pushtetit përpara se qytetarët të mos e njohin më si legjitime vendimmarrjen e tij?
Topi reformës territoriae tashmë ka kaluar në duart e Presidentit të Republikës!
Një moment ky që e ka vendosur presidentin konformist në një pozicion delikat, lidhur me të ardhmen e tij morale dhe politike! Nga njëra anë harbutëria e kryeministrit dhe nga ana tjetër Kushtetuta dhe protestat e qytetarëve!
Në çdo shtet normal, ky ligj do të rrëzohej që në momentin kur do të mbërrinte në Presidencë.
Ndryshimi i kufijve të 15 bashkive pa miratimin e komuniteteve vendore është një akt ligjor që shkel Kushtetutën dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, si në formë, ashtu edhe në procedurë dhe përmbajtje!
Por në Shqipëri kanë rënë burrat e shtetit dhe janë paralizuar mekanizmat mbrojtës që duhet të garantojnë ushtrimin e të drejtave kushtetuese.
Për më tepër, janë prishur kontrolli dhe ekuilibrat ndërmjet institucioneve!
Kryeministri është vetë Ali dhe vetë Kadi…
Për këtë arsye, në të gjithë vendin kanë shpërthyer protesta masive të të rinjve, të cilët kërkojnë t’i japin fund kësaj keq qeverisje autokratike!
Abuzimi me votat, humbja e besimit te institucionet dhe përshkallëzimi i konfliktit mes qytetarëve dhe pushtetit, kjo është pasoja më e rrezikshme e arrogancës qeverisëse!
A nuk është ky mesazhi që vjen nga tri lëvizjet e fundit popullore që po përplasen me qeverisjen?
Revolucioni i Flamingove, kundërshtimi i shkrirjes së 15 bashkive dhe revolta studentore kanë rrënjë të përbashkëta: kundërshtimin e arbitraritetit, abuzimit me pushtetin dhe shpërfilljes së interesit publik.
Shkrirja e 15 bashkive pa pyetur banorët e tyre mund të mos jetë shqetësimi më i madh mes halleve që kanë kapluar gjithë shqiptarët. Por për mënyrën arbitrare që ajo kaloi, manifeston pikërisht intrasigjencën e qeverisë Rama!
Për 230 mijë qytetarët e prekur, ajo rrezikon të shkatërrojë struktura territoriale, lidhje komunitare dhe mundësi përfaqësimi që nuk rikthehen lehtë. Mos harrojmë se struktura e një njësie vendore është pjesë e strukturës kombëtare, dhe kur dëmtohet një njësi është goditur krejt korpusi i shtetit…!
Peticioneve, vendimeve të këshillave bashkiakë dhe zërit të qytetarëve qeveria u ktheu shpinën. Vendimmarrja u imponua me votat e 85 deputetëve të PS-së, duke shpërfillur kundërshtimin e opozitës dhe komuniteteve vendore.
Bllokimi i ligjit të shkrirjes së bashkive dhe rishqyrtimi i ndarjes territoriale nuk janë thjesht çështje harte.
Janë provë e respektit për qytetarët, demokracinë vendore dhe shtetin e së drejtës.
Qytetarët shqiptarë nuk pranojnë më që interesat e tyre të sakrifikohen përballë vendimeve arbitrare të pushtetit dhe interesave okulte të regjimit.
Koha ka treguar se arroganca e pushtetit, kur shpërfill qytetarët dhe mbyll rrugët e dialogut, nuk prodhon bindje, por revoltë dhe mosbindje civile!

About Redaksia

Check Also

Radio publike franceze: Edi Rama akuzohet për lidhje me rrjetet mafioze!

Në Shqipëri, protestat kundër kryeministrit Edi Rama nuk po dobësohen. Që nga fundi i majit, …