Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një videomesazhi, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për sulme ndaj protestuesve dhe për përdorimin e një gjuhe përçarëse ndaj qytetarëve.
Tabaku u ndal te rasti i Ali Bruçit, 40-vjeçarit nga Dibra, i cili punon në ndërtim dhe qëndroi tri ditë në paraburgim pas protestës. Sipas deputetes së PD-së, Bruçi ishte arrestuar teksa po mbronte një vajzë që po sulmohej nga gjashtë efektivë policie.
Ajo e cilësoi Bruçin si një njeri të punës, që përpiqet të mbajë familjen me ndershmëri, ndërsa kritikoi kryeministrin për qëndrimin ndaj protestuesve.
“Aliu është historia e njeriut të punës, e një njeriu i cili punon me ndershmëri dhe që sulmohet”, u shpreh Tabaku.
Deputetja e PD-së akuzoi Ramën se përdor një gjuhë përçmuese ndaj qytetarëve që protestojnë, ndërsa mbron politikisht zyrtarë dhe bashkëpunëtorë të tij ndaj të cilëve janë ngritur akuza penale.
“Kjo është gjuha e Edi Ramës. Kjo është mënyra e Edi Ramës. Sulm ndaj njerëzve të punës e mbrojtje për ata që sot janë me akuza penale”, deklaroi Tabaku.
Videomesazhi i plotë
E nisëm ditën sot me këtë njeriun që ka marrë peng godinën e Kryeministrisë, që sulmonte çdo protestues. Në fakt ashtu siç bën me shumë të tjerë, po me protestuesit u mor një nga një duke edhe fabrikuar, trilluar lajme të rreme. E unë dua t’ju tregoj historinë e Ali Bruçit. Ali Bruçi nga Dibra, është një i ri shqiptar 40 vjeç, i cili punon në ndërtim.
E nis ditën dhe e mbyll ditën duke punuar në skelat e ndërtimit për të mbajtur familjen e tij të vogël. Unë Aliun e takova në qelitë e paraburgimit. Një protestues i cili me flamurin në krah ishte duke mbrojtur një vajzë që po sulmohej nga gjashtë policë. Ai ndenji tre ditë në paraburgim, sot është pranë familjes. Po historia e Aliut është historia e njeriut të punës, e një njeriu i cili punon me ndershmëri dhe që sulmohet. Po çfarë ka ky që sulmon njerëzit e punës?
Çfarë kanë këto me njerëzit që e mbajnë veten me dinjitet? Ndërkohë që nga ana tjetër çdo bashkëpunëtor i tij, e çdo njeri pranë tij sot ka akuzën e një grupi të strukturuar kriminal. E akuzon protestuesit se pse kanë mbrojtur vajzat nga sulmi i policisë. Këta që sot mbrohen për korrupsion, e që sot i japin mburojë politike korrupsionit. Patjetër, njerëzit e punës nuk i pëlqejnë.
Njerëzit që gdhihen në mëngjes për të punuar e punojnë me ndershmëri nuk i pëlqejnë. Se janë mësuar me këto që vjedhin tendera e koncesione. Janë mësuar me këto që kanë akuza për grupet e strukturuara kriminale. Prandaj u sulmua Aliu. Prandaj u sulmua studenti i vjetës. Prandaj sulmohet kushdo në këtë vend, me një gjuhë të shëmtuar, përçmuese, me një gjuhë balte.
Me një gjuhë që nuk i bën nder askujt. Një gjuhë që sot është gjuha përçarëse e që po vendos shqiptarët kundër njëri-tjetrit. Kjo është gjuha e Edi Ramës. Kjo është mënyra e Edi Ramës. Kjo është mënyra që këto çdo ditë kanë punuar e operuar. Sulm ndaj njerëzve të punës e mbro ato që sot janë me akuza penale.
Gazeta RD