Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një deklaratë për shtyp, tha se Vuçiç ishte kukull e Putinit, bashkë me Ramën bëri gjithçka për ndarjen e Kosovës. Ai theksoi se, populli serb rrëzoi një nga figurat më të zeza politike në Ballkan.
Berisha: Dje, populli serb, me votën e tij nxori nga pushteti njërin nga figurat më të zeza të politikës në Ballkan pas Sllobodan Millosheviçit, njeriun që prej vitesh duhej të ishte në burgun ndërkombëtar të Hagës, Aleksandër Vuçiç, ish-badigardin e Sheshelit, birin e tij shpirtëror, pasardhësin e tij.
Pjesëmarrës aktiv në gjenocidin serb në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci.
Një nga organizatorët e safarit vrasës të myslimanëve në Sarajevë.
Iniciatorin e nismës fatkeqe për t’i dhënë strehë dhe për të fshehur gjatë viteve në kërkim nga drejtësia ndërkombëtare kasapit të Bosnjes, Ratko Mlladiç.
Organizatorin e vrasjeve politike të udhëheqësve të serbëve në Kosovë, Oliver Jovanoviçin.
Serbomadhin që edhe dy vite më parë deklaronte në Zubin Patok dhe Zveçan se Serbia do të bëhet më e madhe dhe që dërgonte grupe terroriste në Kosovë.
Në zgjedhjet që sapo humbi, ai pasi varrosi në Beograd me ceremoni shtetërore Ratko Mlladiç, kasapin e Srebrenicës dhe Vukovarit, duke vrarë për së dyti viktimat e gjenocidit dhe duke lënduar rëndë ndërgjegjen e njerëzve të lirë në mbarë botën, brodhi me fantazmën e Ratkos së tij nga fshati në fshat, nga qyteti në qytet të Serbisë për të mbledhur vota.
Aleksandër Vuçiç ishte një kukull e Vladimir Putinit në Ballkan, i cili pas agresionit rus ndaj Ukrainës, e shndërroi Serbinë në prapavijë të fuqishme të Rusisë në rajon.
Ai, me gangsterin tjetër të Ballkanit, narkodiktatorin e Tiranës, Edi Rama, bëri gjithçka për ndarjen e Kosovës, organizuan atentate ndaj udhëheqësve politikë në Kosovë dhe Shqipëri, ndërmorën nisma të porositura nga Kremlini si Ballkani i Hapur, u akuzuan se bashkëpunonin ngushtë në trafiqe kriminale drogë e të tjera ndërkombëtare në komunat në veri të Kosovës.
Gazeta RD