Berisha: Çdo opozitar duhet të bashkohet, por nuk lejojmë Jagot e Flamingove të përvetësojnë protestën studentore për llogari të Ramës

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar tha se, çdo opozitar duhet të bashkohet, por nuk lejojmë Jagot e Flamingove të përvetësojnë protestën studentore për llogari të Ramës duke mbushur valixhet me eurot përsëri.

Berisha: Pra, megjithatë, rikthehemi. Ne kemi lindur në protestë, mbetemi parti e protestës, do të jemi parti e protestës. Kjo nuk ka dyshim.
Ndaj dhe protestat e studentëve do të kenë mbështetjen më të fuqishme të Partisë Demokratike. Do të kenë dhe mbrojtjen më të madhe të Partisë Demokratike.
Ta harrojnë Jagot e Flamingove se mund t’i bëjnë kësaj proteste atë që i bënë protestës së parë.
Ta harrojnë, jo absolutisht kurrë. Ta dinë mirë!
I paralajmëroj. Flamingot kishin heronj, dhe ata janë të mirëpritur dhe i kanë rrugët. Por Flamingot patën Jagot që mbushen valixhet me eurot e Edi Ramës dhe të botës së krimit, dhe mendojnë se dhe protestën studentore do mund ta trajtojnë njëlloj.
Ky ka qenë dhe një nga qëllimet që kam shpallur që ditën e parë, objektiv krahas mbështetjes edhe mbrojtjen e protestës. Kjo është protestë studentore dhe e gjimnazistëve.
Kjo protestë është thirrur nga sindikata e universiteteve. Cilido që kërkon ta përvetësojë, t’i rrahë gjoksin, mashtron publikisht dhe ne do ia nximë fytyrën.
Jo! Është protestë e studentëve, është protestë e gjimnazistëve. Në këtë protestë, Partia Demokratike ka qenë që në minutën, që në sekondën e parë.
Ta dinë këta horrat, Qorrat e Edi Ramës, të cilët në misionin e Edi Ramës përsëri, për të shpëtuar lëkurën e tij dhe për të siguruar mbështetje, nxori tezën e ANTIFA-s dhe duhej që agjentë të policisë kriminale, bashkë me Qorrin që tret miliona, ta dinë shqiptarët, është një nga Gobsekët e milionave të tyre.
Gjoja jepen nga paratë e taksapaguesve, paratë që jepen në Shqipëri janë të destinuara për qytetarët shqiptarë.
Çfarë tha ai? E dëgjuat ju pasi lau duart si Ponc Pilati, mori dekoratat për Flamingot?
Doli në studion e News24 dhe i thotë gazetarit, i thotë gazetari po pse protestoni? Ne protestojmë, thotë, qeveria për çështje që shtrojmë ne, na dëgjon, dhe i korrigjon. Njëri thotë, që përsërit si skuth parullën e Qorrit, thotë se ne presim të rritemi, pra nuk jemi për rrotacionin, tjetri thotë ne protestojmë se qeveria na dëgjon dhe i përmirëson.
Dhe disa skuthër të tjerë, ish-hajdutë që kanë ikur nga Partia Demokratike se nuk mund të kishin të ardhme, dhe i garantoj që për vjedhjet e tyre do të ndiqen edhe pas 30 vitesh, që ua ka amnistuar Edi Rama dhe i përdor si kukulla, përdoren për këto slogane nëpër studio televizive.
Jo miq! Partia Demokratike është parti e protestës. Ka lindur në protestë, ka për mbiemër protestën dhe hidhet e tëra në protestë.
Po, aty kemi strukturat tona. Ata janë burgosur, janë dëmtuar, njëlloj si të gjithë të tjerët dhe ne nuk bëjmë asnjë dallim. Po, ne nuk shkojmë me simbolet tona përsëri sepse aty janë gjimnazistë me prindër socialistë, janë studentë me prindër socialistë dhe ne kërkojmë një front të bashkuar.
Dhe ata janë të mirëpritur, ata janë të mirëpritur dhe kemi kënaqësi të madhe.
Doli çdo tezë, po teza e bashkimit, të një fronti opozitar kundër kësaj qeverie që i ka bërë këtij vendi dëme të këqija sa asnjë pushtim, kjo tezë nuk doli, nuk u dëgjua ndonjëherë. Përkundrazi, Qorri dhe papagalli i Qorrit që përsëritin sloganet e tij thanë se erdhi koha si gjela në pleh të kakarisin.
Unë prapë e them, ka vetëm një rrugë, bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë për cka qëndron Partia Demokratike!
Qëndron me vendosmërinë më të madhe. Kush është burrë, kush është grua, kush është faktor sot duhet të bashkohemi.
Nuk ka mesazh më të madh se mesazhi i kësaj lëvizje studentore sesa bashkimi në mbështetje të tyre dhe në largimin e Edi Ramës. Edhe një herë, autokrati i Beogradit nuk ishte narkodiktator. Jo, ai kishte krime të shëmtuara, por nuk ishte narkodiktator. Autokrati i Tiranës është një narkodiktator, më i urryeri në Evropë dhe në botë.
Ndaj kërkohet të bashkohemi. Kërkohet që çdo opozitar, çdo njeri që kundërshton, të dalë në mbështetje të studentëve, të kauzës së tyre.
Dhe ne qëndrojmë, absolutisht do qëndrojmë gjer në fitoren e kauzës së drejtë.
Ne jemi në kilometrin e fundit. Ne jemi në kilometrin e fundit dhe jemi më të përgatitur se kurrë për çdo betejë.

About Redaksia

Check Also

Reagon Erion Veliaj/ “Transferim pa urdhër, jam rrëmbyer…”

Reagimi i Erion Veliajt Sot, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga …