Ekspertja e integrimit europian Ilda Zhulali komentoi në edicionin e orës 19:00 me Juli Krisafin në Syri Tv vizitën e Ramës në Bruksel.
Zhulali tha se sot morëm tre lajme të këqija nga Brukseli. Negociatat nuk u çelën, konferenca e anuluar dhe deklaratat e Ramës që treguan se po shkon në përplasje me Europën.
“Morëm lajmin për mosçeljen e negociatave të anëtarësimit.
Lajmi i dytë i keq ishte që konferenca e përbashkët BE-Ballkani Perëndimor u zëvëndësua nga një çarje e madhe e Ballkanit të Hapur. Tek kjo konferencë e Open Balkan nuk mori pjesë BE.
Kjo konferencë ishte lajmi më i keq dhe i pamerituar për shqiptarët dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjuha e Ramës ishte akoma më skandaloze, në kuptimin diplomatik dhe atë të interesit tonë kombëtar.
Erdhi nga një kryeministër që ka dështuar disa herë në marrëdhëniet me Europën. Vendos Shqipërinë në një pozitë jo komode dhe i cënon të ardhmen europiane.
Rama në vend që të përfshihet në proces lobimi intensiv për nisjen e negociatave të anëtarësimit, bëri të kundërtën, u angazhua për t’i imponuar Europës një vullnet të tij të ri që ishte ‘Ballkani i Hapur’. Rama duket se ka vendosur të shkojë në përplasje me Europën.”-tha Zhulali.