Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka zgjedhur të mbrojë ndërhyrjen brutale të Policisë së Shtetit gjatë protestave të studentëve dhe të miturve, duke e cilësuar atë proporcionale, pavarësisht dhjetëra rasteve të protestuesve të lënduar dhe denoncimeve të faktuara për dhunë policore jopropocionale.
Në një deklaratë publike me së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Demo foli për 347 persona të lënduar gjatë javëve të fundit, mes tyre 107 protestues dhe 39 kalimtarë, përfshirë gazetarë. Por në vend që të ndalet te përgjegjësia për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, ministri deklaroi se Policia ka ndërmarrë masat e duhura dhe paralajmëroi se autoritetet po identifikojnë protestuesit e lënduar, ndaj të cilëve do të ndërmerren hapa ligjorë.
Qëndrimi i ministrit të Brendshëm janë tjetër inkurajim për dhunën barbare ndaj të miturve, studentëve dhe protestuesve paqësor.
Fjala e Ervin Demos:
“Vetvetiu këto janë akte të rëndësishme dhe ne do të dalim shumë shpejt me informacion të detajuar për secilën prej masave, të cilat tashmë janë në fuqi. Dhe unë jam i bindur që këto do të ndihmojnë punën e Policisë së Shtetit për të pasur edhe një përgjigje proporcionale për sa u përket individëve, të cilët marrin pjesë në protesta të dhunshme.
Një gjë është e sigurt, nga këto protesta ne kemi konstatuar që nevoja për fuqizimin teknologjik të Policisë së Shtetit tashmë është imperative dhe ne do të punojmë fuqimisht që të ecim me hapa të shpejtë për sa i përket përdorimit të teknologjisë në punën që ushtron Policia e Shtetit. Unë do të doja të përmendja një element të parë, që do të jetë shumë i rëndësishëm për sa i përket transparencës së veprimeve të Policisë së Shtetit që janë kamerat e trupit që ne shumë shpejt do t’i vendosim në funksion duke filluar me punonjësit e Policisë së Shtetit në Bashkinë e Tiranës, ku do të kemi tashmë përdorimin e këtyre imazheve për të faktuar edhe dhunën apo veprave jo të ligjshme, që ndërmerren nga individë të caktuar, por në të njëjtën kohë, për të garantuar që veprimet e Policisë së Shtetit janë gjithmonë brenda kornizës ligjore.
Ne jemi duke parë mundësinë për të fuqizuar si komunikimin brenda strukturave të Policisë së Shtetit me radiot e reja, por dhe mjetet e reja të teknologjisë dixhitale për sa i përket punës investigative që Policia e Shtetit ndërmerr. Këtu do të doja të përmendja një fakt për sa i përket teknologjisë që tashmë ne jemi duke përdorur, për të ndihmuar Policinë e Shtetit në evidentimin e elementëve të dhunshëm gjatë protestës, sidomos atyre elementëve të cilët janë të maskuar.
Siç e shikoni edhe nga materialet, këto janë disa prej shembujve, të cilët ne tashmë kemi identifikuar.
Materiali i është referuar
Prokurorisë së Tiranës, ku qartazi duken individë që të maskuar kanë ushtruar dhunë ndaj institucioneve, kanë ushtruar dhunë ndaj bizneseve private, kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndërkohë falë teknologjisë ne tashmë kemi evidentuar identitetin e tyre dhe janë duke u ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për sa i përket përgjegjësisë ligjore, penale që këta individë duhet të kenë.
Këtu unë do të doja t’i bëja një thirrje dhe Prokurorisë së Tiranës dhe gjykatës, për një përgjigje uniforme në mbrojtje të shtetit, pronës, sigurisë kolektive, ku ata elementë, të cilët realisht kanë kryer dhunë mbi kryeqytetin e shqiptarëve, patjetër të kenë një standard për sa i përket përgjegjësisë ligjore që ata duhet të përballen.
Dhe unë jam i bindur që roli i Policisë së Shtetit duhet të jetë jo thjesht për të garantuar rend dhe siguri, sidomos kur ka situata, të cilat ne ballafaqohemi, por patjetër roli i Policisë së Shtetit duhet të jetë aty që shpesh herë të parandalojë edhe situata të caktuara si një masë tejet e rëndësishme, e cila mund të ndihmohet po ashtu edhe nga teknologjia në mënyrë që ne të ulim shpesh herë përballjet e panevojshme me aktet e dhunës që ne konstatojmë.
Unë nuk po ndalem më gjatë, sepse ajo çfarë është e rëndësishme për ne si Ministri e Punëve të Brendshme, për ta mbyllur, janë patjetër garancitë që ne ofrojmë qytetarëve, Policia e Shtetit është aty për të ndihmuar qytetarët për të mbështetur qytetarët për të garantuar tubimet e ligjshme paqësore të çdo qytetari në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Policia e Shtetit është aty për të mos u përballur në mënyrë të dhunshme me askënd, por Policia e Shtetit patjetër që do të reagojë në momentin që ne kemi dhunë, e cila drejtohet kundrejt institucioneve publike, kundrejt biznesit kundrejt institucioneve financiare apo individëve, të cilët mund të ndodhen rastësisht pjesë në një protestë.
Prandaj edhe njëherë unë do të doja të falënderoja të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit për angazhimin e tyre gjatë këtyre javëve dhe patjetër do të kërkoja bashkëpunimin e qytetarëve që në situata të caktuara të ndjekin dhe zbatojnë thirrjet që Policia e Shtetit drejton ndaj tyre. Rendi dhe siguria është një përgjegjësi e të gjithëve. Është edhe një përgjegjësi e shoqërisë. Prandaj unë do të doja ta mbyllja duke iu referuar të gjithë të lënduarve, jo vetëm punonjësve të Policisë së Shtetit, por kushdo që është lënduar në këto javë të vështira ju uroj shërim të shpejtë dhe patjetër të gjithë ne duhet të nxjerrim mësimet e duhura nga kjo situatë që tashmë ne kemi përjetuar të gjithë së bashku”, tha ai.
Gazeta RD