Nga Bislim AHMETAJ
Syri i Erionit duhet të na i hapë sytë të gjithëve.
E shtuna e kaluar dëshmoi një pjesëmarrje dinjitoze dhe një përballje të qytetarëve me të ndërkryerit e ndërsyerit e Edi Marrës.
Trofeja e vetme e policisë dhe e qeverisë atë ditë ishte syri i humbur i Erion Vishkullit, dhjetëra qytetarë të shoqëruar në komisariate dhe qindra të tjerë të keqtrajtuar.
Pastaj erdhi java e masave administrative dhe ligjore, propozime e miratime të denja për një diktaturë të zezë apo të kuqe.
Për shumëkënd, kjo javë solli ndërmend Ramiz Alinë në vitet 1990–1991. Për të tjerë, me kujtesë më të thellë historike, Enver Hoxhën e viteve 1944–1948. Ndërsa për ata që e njohin historinë e diktaturave europiane dhe latino-amerikane, kujtoi Frankon e Spanjës dhe Pinoçetin e Kilit.
Historia na ka mësuar një të vërtetë të hidhur: ulja e kokës para diktaturës nuk e shmang dramën, por e përgatit atë.
Nesër, studentët, flamingot, pedagogët, qytetarët e lirë, qorr-istët, bashkë-istët, sorro-istët dhe Partia Demokratike kanë thirrur protestë kombëtare.
Ora është e njëjtë: 12:00.
Qëllimi, në thelb, është i njëjtë.
Por vendet e grumbullimit janë të ndryshme.
Studentët, pedagogët dhe grupimet e tjera qytetare kërkojnë të mblidhen te Ministria e Arsimit e më pas të marshojnë drejt Kryeministrisë, siç kanë bërë gjatë gjithë këtyre ditëve.
PD-ja, me kryeneçësi, kërkon t’i presë protestuesit e vetme përpara Kryeministrisë.
Por Shqipëria nuk ka nevojë për gara mes opozitarëve.
Ka nevojë për bashkim kundër pushtetit që i ka shpallur luftë qytetarit.
Kërkesat janë të qarta:
• Dorëheqja pa kushte e qeverisë së Edi Marrës.
• Krijimi i një qeverie kujdestare me mandat njëvjeçar.
• Ndryshimi i ligjit zgjedhor.
• Anulimi i ligjeve që kanë kontribuar në katastrofën e vendit.
• Organizimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të gjithëpranuara, që t’i rikthejnë Shqipërisë qetësinë, sigurinë dhe stabilitetin.
Askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë autorësinë e qëndresës dhe të revoltës historike të rinisë shqiptare, që tashmë ka hyrë në muajin e gjashtë.
Kjo revoltë nuk është pronë e asnjë partie.
Nuk ka një pronar politik dhe nuk mund të shndërrohet në plaçkë elektorale të askujt.
Humbja e syrit të Erion Vishkullit nuk duhet të na verbojë ndaj qëllimit dhe vizionit të revoltës qytetare kundër një qeverisjeje arbitrare dhe antikombëtare.
Syri i Erionit duhet të na hapë sytë të gjithëve!
Ai nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë si autostradë politike për minjtë dhe pleshtat e pushtetit, që nuk jetojnë dot pa karrige dhe që shpresojnë ta kthejnë dhimbjen e qytetarëve në kapital për interesat e tyre.
Varka e Neos ka vite që është ankoruar në portet e atdheut tonë.
Nëse nuk duam që ajo të na gllabërojë të gjithëve, duhet t’i thërrasim ndërgjegjes sonë kombëtare.
Duhet të kapërcejmë ndasitë, interesat e vogla dhe llogaritë partiake.
Nesër nuk është dita e fundit.
Është një tjetër provë për pjekurinë, vendosmërinë dhe përgjegjësinë tonë qytetare.
Prandaj, askush të mos e përdorë ndarjen si alibi për të mos protestuar.
Askush të mos e kthejë flamurin partiak në mur mes qytetarëve.
Askush të mos harrojë se përballë kemi një pushtet që përfiton sa herë që ne ndahemi.
Nesër, ora 12:00, le të jemi aty ku është qëndresa qytetare.
Pa gara për autorësi. Pa pretendime pronësie mbi revoltën. Pa përçarje që i shërbejnë pushtetit.
Të gjithë bashkë, pa parti, për një Shqipëri pa Edi MARRËN dhe klikën e tij antishqiptare!
Tiranë me 30 Tetor 2026.
Gazeta RD