Përplasja me Ramën/ Veliaj refuzon të shkojë në gjyq, letër gjykatës

Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, nuk do të jetë i pranishëm në seancën gjyqësore në themel, të caktuar për këtë të martë në orën 10:45.

Sipas raportimeve në media, Veliaj pritet të përfaqësohet nga avokati mbrojtës, duke mbajtur të njëjtin qëndrim të shprehur edhe në seancat e mëparshme. Ai ka deklaruar se do ta ndiqte fizikisht procesin gjyqësor vetëm nëse do t’i lejohej të qëndronte jashtë kafazit.

Po ashtu, kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës i ka dërguar një letër trupit gjykues, në të cilën ka përfshirë qëndrimet e tij lidhur me zhvillimet e fundit dhe pretendimet për mesazhe kërcënuese që, sipas tij, i janë përcjellë nga kryeministri Edi Rama përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Në shkresën drejtuar gjykatës, Veliaj ka kërkuar që përmbajtja e saj të lexohet gjatë seancës, me argumentin se kjo do t’i shërbente transparencës dhe vlerësimit ligjor të çështjes.

Për çfarë akuzohet Erion Veliaj?

Sipas dosjes së SPAK, ndaj Erion Veliajt janë ngritur 13 akuza, që lidhen me pesë vepra penale. Mes tyre janë korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, në disa raste dhe në bashkëpunim, pastrimi i produkteve të veprës penale, shpërdorimi i detyrës, mosdeklarimi apo deklarimi i rremë i pasurisë, si dhe futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Sipas pretendimeve të prokurorisë, Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të parregullt shuma parash dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, të cilat kanë përfituar në këmbim fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës.

Çështja është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme, ndërsa pretendimet e SPAK-ut do të shqyrtohen gjatë procesit gjyqësor.

About Redaksia

Check Also

Pedagogu thirrje studentëve dhe mediave: Rezistoni! Mediat të lëshojnë pushtetin e korruptuar!

Në ditën e 22 të bojkotit të universiteteve, studentë dhe pedagogë kanë vijuar rezistencën e …