Kryebashkiaku Erion Veliaj, përmes një letre të dorëzuar nga avokati i tij, Plarent Ndreca në seancën e Gjykatës së Posaçme, kërkoi hetim mbi transferimin në burgun e Fierit dhe pretendimet e tij se për këtë vendim ka ndikuar kryeministri Edi Rama.
“Dëshiroj të përfaqësohem nga avokati Plarent Ndeca dhe dua të sqaroj se jam duke e bërë këtë deklaratë me vullnetin e lirë dhe pa asnjë presion. E nderuar Gjykatë, siç edhe keni rënë në dijeni nga media, të mërkurën jam rrëmbyer nga një togë shoqërimi, pa asnjë shkak dhe vendim të komunikuar,”- deklaroi ai.
“Më kanë larguar nga familja, avokati dhe Bashkia, institucioni që drejtoj. Nuk e dija pse ndodhi kjo deri të premten në mbrëmje, ku m’u komunikua nga Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili ma bëri të qartë se transferimi ka ndodhur me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, siç tha ai që unë të bëja burg tamam.”
“Ministri më komunikoi se do i kërkohej SPAK të më hetonte edhe për prishje të rendit kushtetues, si i përfshirë në protestat e flamingova dhe studentëve. Kërkoj nga ju të kryeni një hetim të plotë dhe kam besim te ju”,- citoi avokati Ndreca duke lexuar letrën e Veliajt në seancë.
Gjykata iu përgjigj Veliajt, duke thënë se nuk është kompetente për të vlerësuar ligjshmërinë dhe paligjshmërinë e transferimit, por shtoi se nuk ishte njoftuar nga burgjet për lëvizjen, siç duhet të ndodhte.
Për pretendimet e tjera, Gjykata tha se Veliaj duhet t’u drejtohet instancave të tjera sipas ligjit.
Gazeta RD