Këmbanat e alarmit të Progres Raportit 2026!

Nga Onkel Petriti, anëtar i Kryesisë PD Vlorë

Progres-Raporti 2026 i Komisionit Evropian, i publikuar sot, evidenton një tablo shqetësuese për funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Sipas tij, korrupsioni në nivelet më të larta, përpjekjet e zyrtarëve dhe politikanëve për të ndikuar drejtësinë, problemet në prokurimet publike, koncesionet, PPP-të, problemet me pronësinë dhe me financat publike dëshmojnë se rruga drejt standardeve evropiane mbetet e mbushur me pengesa serioze.
Raporti evidenton një sërë problemesh serioze që lidhen me korrupsionin, ndërhyrjet politike në drejtësi, mungesën e transparencës në administrimin e parave publike dhe dobësitë strukturore të mjedisit të biznesit.
Sipas tij, Shqipëria përparon në procesin formal të negociatave, por vazhdon të përballet me probleme të thella në zbatimin e standardeve të shtetit të së drejtës.
Komisioni Evropian nuk kufizohet në konstatime të përgjithshme për korrupsionin. Ai identifikon fusha konkrete, ku ky fenomen mbetet shqetësim sistemik dhe evidenton sjellje të zyrtarëve dhe politikanëve që cenojnë pavarësinë dhe besueshmërinë e institucioneve.
– Ndërhyrjet politike në drejtësi: shqetësimi më serioz institucional
Një nga konstatimet më të forta të raportit lidhet me përpjekjet e zyrtarëve dhe politikanëve, përfshirë në nivelet më të larta, për të ndikuar padrejtësisht institucionet e drejtësisë.
Komisioni evidenton se gjatë periudhës 2025-2026 kanë vazhduar përpjekjet për ndikim të padrejtë, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve në të gjitha nivelet.
Ky është një konstatim me peshë të veçantë politike dhe institucionale. Pavarësia e drejtësisë nuk garantohet vetëm përmes Kushtetutës, ligjeve dhe strukturave të posaçme. Ajo kërkon edhe një kulturë institucionale që respekton vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa presione politike, kërcënime apo fushata denigruese.
Mesazhi i Brukselit është i qartë: reforma në drejtësi nuk mund të konsiderohet e përfunduar vetëm sepse janë ngritur institucionet e reja. Ajo duhet të mbrohet çdo ditë nga ndërhyrjet dhe presionet politike të maxhorancës.
– Policia e Shtetit: ekspozim i lartë ndaj korrupsionit
Raporti evidenton gjithashtu se Policia e Shtetit mbetet shumë e ekspozuar ndaj korrupsionit. Ky konstatim ngre pikëpyetje për efektivitetin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, integritetin profesional dhe aftësinë e institucioneve për të parandaluar përfshirjen e punonjësve të policisë në praktika korruptive.
Policia duhet të jetë një nga institucionet më të besueshme të shtetit, pasi ka përgjegjësinë për zbatimin e ligjit, garantimin e sigurisë publike dhe luftën kundër kriminalitetit.
Ekspozimi i lartë ndaj korrupsionit rrezikon të krijojë një kontradiktë të rëndë: institucioni që duhet të luftojë krimin dhe korrupsionin bëhet vetë objekt i këtyre fenomeneve.
– Prokurimet publike: përjashtimet nga konkurrenca dhe mungesa e transparencës
Një nga kritikat më të rëndësishme të raportit lidhet me prokurimet publike. Komisioni Evropian vlerëson se dispozita kalimtare që lejon përjashtimin nga procedurat normale të prokurimit për marrëveshjet ndërkombëtare të konsulencës në fushat me interes strategjik duhet të shfuqizohet.
Ky është një konstatim me rëndësi të veçantë, sepse prokurimi publik administron një pjesë të konsiderueshme të parave të taksapaguesve. Përjashtimet nga procedurat konkurruese, kur nuk justifikohen me kritere të qarta dhe të kontrollueshme, krijojnë rrezik për favorizime, konflikte interesi dhe përdorim joefikas të fondeve publike.
Raporti kërkon gjithashtu që legjislacioni për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë të përafrohet me standardet e Bashkimit Evropian.
Një tjetër sinjal shqetësues është rritja e peshës specifike të procedurave të tenderimit me negocim pa shpallje paraprake, në raport me totalin e procedurave.
Kjo praktikë kërkon kontroll të posaçëm, pasi kufizon konkurrencën dhe transparencën, duke reduktuar mundësinë që operatorë të ndryshëm ekonomikë të konkurrojnë në kushte të barabarta.
Një nga çështjet më konkrete të evidentuara nga Komisioni Evropian lidhet me ndryshimet ligjore të prillit 2026 për regjimin e veçantë të porteve turistike. Ky regjim u jep privilegje shtesë investitorëve strategjikë dhe anashkalon procedurat e zakonshme të prokurimit publik, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë.
Ky është një rast që prek drejtpërdrejt raportin ndërmjet interesit publik dhe interesave private.
Komisioni evidenton gjithashtu se qeveria ka ndërmarrë herë pas here veprime legjislative që nuk përputhen me standardet e Bashkimit Evropian, duke përfshirë ndryshimin e ligjit për portet turistike.
Këtu qëndron një nga problemet më të rëndësishme të modelit të zhvillimit ekonomik: nëse interesat strategjike të vendit përcaktohen mbi bazën e konkurrencës së hapur dhe interesit publik, apo nëpërmjet mekanizmave që krijojnë privilegje për operatorë të përzgjedhur.
– PPP-të dhe koncesionet: biznesi kërkon më shumë transparencë
Raporti evidenton se bizneset vazhdojnë të vënë në dyshim transparencën e procedurave për statusin e investitorit strategjik, partneritetet publike-private dhe koncesionet.
Ky konstatim është veçanërisht i rëndësishëm për klimën e investimeve.Një ekonomi konkurruese kërkon që të gjithë operatorët të kenë mundësi të barabarta për të marrë pjesë në projektet publike.
Kur kriteret e përzgjedhjes nuk janë të qarta, kur kontratat nuk janë mjaftueshëm transparente dhe kur përfitimet ekonomike të projekteve nuk argumentohen publikisht, krijohet një mjedis pasigurie e thellë për biznesin.
– Financat publike: buxheti nuk mund të administrohet vetëm me akte normative
Një tjetër kritikë e rëndësishme lidhet me administrimin e financave publike.Komisioni Evropian konstaton se ka vazhduar praktika e rishikimit të buxhetit përmes akteve normative të qeverisë.
Kjo praktikë dobëson qëndrueshmërinë fiskale, kontrollin parlamentar mbi buxhetin dhe transparencën e financave publike. Buxheti i shtetit është dokumenti më i rëndësishëm financiar dhe politik i qeverisjes. Ai përcakton se si mblidhen dhe si shpenzohen paratë publike.
Ndryshimet e shpeshta përmes akteve normative, në vend që të kalojnë nëpër një proces të plotë parlamentar dhe të kontrollit publik, sipas Komisionit Evropian, dobësojnë ndjeshëm llogaridhënien institucionale.
Marrëveshja e Paqes Fiskale është një tjetër çështje që ngre shqetësime në raportin e Komisionit Evropian. Këto shqetësime lidhen me rreziqet që mund të krijohen për moralin tatimor dhe me domosdoshmërinë e zbatimit të masave kundër pastrimit të parave.
Komisioni Evropian evidenton gjithashtu se krijimi i Bankës Kombëtare të Zhvillimit ka ngritur shqetësime për mënyrën e ndërtimit të saj dhe për mekanizmat e ardhshëm të mbikëqyrjes. Për shkak të rolit që mund të ketë në shpërndarjen e burimeve financiare publike, ai duhet të funksionojë me standarde të larta transparence, qeverisjeje korporative dhe kontrolli. Pikëpyetjet kryesore lidhen me pavarësinë e vendimmarrjes, kriteret e financimit, përzgjedhjen e përfituesve dhe mbikëqyrjen e rrezikut financiar.
– Shteti ligjor, korrupsioni dhe informaliteti: tri pengesat strukturore të biznesit
Në vlerësimin e mjedisit të biznesit, Progres Raporti 2026 evidenton se dobësitë strukturore vazhdojnë të rëndojnë aktivitetin ekonomik. Shqetësimet më të vazhdueshme mbeten shteti ligjor, korrupsioni dhe informaliteti. Këto tri probleme janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
Mungesa e sigurisë juridike rrit kostot e biznesit. Korrupsioni deformon konkurrencën dhe favorizon operatorë të caktuar. Informaliteti krijon pabarazi ndërmjet bizneseve që paguajnë rregullisht taksat dhe atyre që shmangin detyrimet.
Pasojat janë të drejtpërdrejta: më pak investime produktive, konkurrencë e deformuar, produktivitet më i ulët dhe vështirësi për ndërmarrjet shqiptare që synojnë të konkurrojnë në tregun evropian.
xxx
Progres Raporti 2025 i Komisionit Evropian e ngel në klasë qeverisjen e korruptuar dhe defektoze të Edi Ramës. Ai evidenton probleme serioze që prekin vetë funksionimin e shtetit: ndërhyrjet politike në drejtësi, korrupsionin sistemik në disa sektorë, mungesën e transparencës në prokurimet publike, privilegjet për investitorë të përzgjedhur, dobësitë në administrimin e financave publike dhe pasigurinë juridike për biznesin.
Këto nuk janë çështje dytësore apo thjesht teknikalitete të negociatave. Ato janë probleme themelore, që lidhen me mënyrën se si qeveriset vendi dhe me aftësinë e shtetit për të garantuar barazinë përpara ligjit.

About Redaksia

Check Also

Kartonat e Parlamentit

Nga Arlind Bajaj, Sekretar për Organizimin, Partia Demokratike Vlorë Nuk është e vështirë të kuptosh …