Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë me urgjencë gjobat ndaj protestuesve. Kjo është kërkesa e juristit Franci Nuri, i cili kërkon pezullimin e akteve normative të qeverisë që, sipas tij, kufizojnë të drejtën për protestë.
Në një intervistë për edicionin e pasdites në Syri TV, Sekretari për të Drejtat e Njeriut në PD argumentoi se tre aktet normative dhe një vendim i Këshillit të Ministrave cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet të ndërhyjë pa vonesa dhe të pezullojë efektet e këtyre akteve, pasi ato po përdoren si bazë për vendosjen e gjobave ndaj protestuesve dhe për kufizimin e pjesëmarrjes së tyre në tubime.
Nuri theksoi se pezullimi i akteve do të sillte edhe ndalimin e efekteve të gjobave të vendosura në bazë të tyre. Ai i cilësoi këto masa si mekanizma intimidues, që sipas tij synojnë të dekurajojnë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, nga pjesëmarrja në protesta.
Juristi kërkoi që çështja të përfshihet me përparësi në shqyrtimin e Gjykatës Kushtetuese, duke sugjeruar që ajo të trajtohet që në mbledhjen e ardhshme.
Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën e miratimit të akteve, duke pretenduar se qeveria nuk kishte arsye urgjente për të shmangur procedurën e zakonshme parlamentare. Sipas tij, ato bien ndesh me Kushtetutën, procedurat parlamentare dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Nuri përmendi edhe krijimin e një regjistri për personat e konsideruar të rrezikshëm gjatë protestave, duke pretenduar se masat e parashikuara mund të sjellin kufizime që shkojnë nga lëvizja jashtë vendit deri te akomodimi.
Në përfundim, juristi kërkoi nga Gjykata Kushtetuese të mos e zvarrisë shqyrtimin e ankimimeve, por të vendosë për pezullimin e akteve që, sipas tij, po prodhojnë pasoja për lirinë e tubimit dhe demokracinë.
Gazeta RD