Shqiptarët do të paguajnë për kalimin në të gjitha austradat

Në Strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planit të Veprimit 2030, thuhet autoritetet shqiptare synojnë të krijojnë një sistem të ri për mbledhjen elektronike të tarifave të përdorimit të infrastrukturës rrugore.

Në fazën e parë, vëmendja do të përqendrohet te segmentet me qarkullimin më të madh të automjeteve, pjesë e rrjetit transevropian të transportit, i njohur si TEN-T.

200 mijë euro për përgatitjen e sistemit

Dokumenti parashikon një fond prej 200 mijë eurosh për hartimin e kuadrit ligjor dhe teknik gjatë viteve 2028–2029. Nga kjo shumë, 100 mijë euro janë planifikuar për vitin 2028 dhe pjesa tjetër për vitin 2029.

Përgjegjësinë kryesore për përgatitjen e sistemit do ta ketë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Autoritetin Rrugor Shqiptar, Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe AKSHI-n.

Pas përfundimit të përgatitjeve, parashikohet që gjatë viteve 2030–2032 të nisë testimi i tarifimit elektronik në disa segmente rrugore të përzgjedhura.

Cilat rrugë do të bëhen me pagesë?

Ende nuk ka një listë zyrtare të autostradave apo rrugëve ku do të aplikohet sistemi i ri. Po ashtu, nuk janë përcaktuar tarifat që do të paguajnë drejtuesit e automjeteve dhe as kategoritë e mjeteve që do të përfshihen.

Plani lë të hapur mundësinë që tarifimi të prekë si automjetet private, ashtu edhe transportin e mallrave dhe të pasagjerëve. Sistemi synohet të përafrohet me standardet europiane, përfshirë direktivën Eurovignette dhe Shërbimin Europian Elektronik të Tarifimit Rrugor (EETS).

Pagesat do të kontrollohen elektronikisht

Projekti është pjesë e një programi më të gjerë për modernizimin e menaxhimit të trafikut. Strategjia parashikon përdorimin e kamerave, sensorëve dhe sistemeve elektronike të informacionit, të cilat mund të integrohen me mekanizmat e ardhshëm të tarifimit.

Megjithatë, dokumenti nuk përcakton ende teknologjinë përfundimtare të mbledhjes së pagesave.

A do të paguajnë më shumë drejtuesit e automjeteve?

Plani për tarifimin elektronik vjen në një periudhë kur qeveria ka paralajmëruar edhe ndryshimin e mënyrës së mbledhjes së taksës së qarkullimit. Sipas njoftimeve për Paketën Fiskale 2027, kjo taksë synohet të hiqet nga çmimi i karburantit dhe të transferohet te detyrimet që lidhen me automjetin.

Por tarifimi elektronik i rrugëve dhe ndryshimi i taksës së qarkullimit janë dy masa të ndryshme, për të cilat ende nuk është sqaruar plotësisht ndikimi i kombinuar financiar.

Për momentin, strategjia parashikon vetëm përgatitjen dhe testimin e teknologjisë, pa vendosur ende një datë për nisjen e pagesave të reja./ Zoom.al

About Krye Redaktor

Check Also

Qeveria dyfishon çmimin e gazit për qytetarët dhe makinat/ Dyfish me i lartë se në Kosovë

Në Shqipëri, thuajse të gjitha produktet, qofshin ushqimore apo jo, kanë pësuar rritje të vazhdueshme …