Tabaku në PE: U ngrit kërkesa për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira në Shqipëri

Pas diskutimit për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, deputetja e PD renditi shqetësimet për zgjedhjet, barazinë para ligjit, protestuesit dhe lirinë e mediave.

Kërkesa për një qeveri teknike, si mënyrë për të dalë nga ngërçi politik në Shqipëri dhe për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, u ngrit gjatë diskutimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian (AFET), sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale pas përfundimit të mbledhjes, Tabaku renditi çështjet që, sipas saj, u trajtuan në diskutimin për Shqipërinë: zgjedhjet, barazinë para ligjit dhe ecurinë e procesit të integrimit europian.

Duke u ndalur te zgjedhjet, deputetja deklaroi se krimi i organizuar ka penguar rotacionin politik në vend. Në këtë kontekst, ajo tha se ishte ngritur kërkesa për një qeveri teknike si rrugëdalje nga situata ku ndodhet Shqipëria.

Çështja e dytë, sipas Tabakut, lidhej me mënyrën se si zbatohet ligji ndaj politikanëve të akuzuar për korrupsion dhe qytetarëve që protestojnë.

“A trajtohet njësoj një politikan i korruptuar me një qytetar që proteston? A është sot perceptimi që kushdo që bën korrupsion mund të dalë i lirë?”, u shpreh ajo.

Për procesin e integrimit europian, Tabaku theksoi nevojën që ligjet të zbatohen në praktikë, përtej miratimit të tyre. Ajo e lidhi këtë çështje me funksionimin e shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave.

Deputetja tha se në Parlamentin Europian ishte përcjellë edhe zëri i protestës, bashkë me shqetësimin për trajtimin jodinjitoz dhe, sipas saj, shpesh të dhunshëm të protestuesve nga policia.

Sipas Tabakut, trajtimi i protestuesve dhe liria e mediave ishin gjithashtu pjesë e diskutimit në AFET. Ajo i cilësoi këto çështje si thelbin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

About Redaksia

Check Also

Eurodeputeti Gahler: Shqipërisë i duhet një qeveri teknike që njerëzit të votojnë të lirë!

Kriza politike që ka përfshirë Shqipërinë prej muajsh u diskutua këtë të martë në mbledhjen …