Çdo ditë të rinjtë dalin në rrugë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, pas 13 vitesh në pushtet.
Paga minimale prej 500 eurosh, qira që nisin nga 400 euro dhe pothuajse asnjë perspektivë për të gjetur një punë të denjë. Për shumë të rinj në Shqipëri, jeta e përditshme është kthyer në një betejë të vazhdueshme. Që prej muajit qershor, ky frustrim po shpërthen në protesta të përditshme, të cilat kanë tronditur vendin. Protestat e të rinjve kanë marrë një dimension të ri, veçanërisht pasi lëvizjes iu bashkuan edhe studentët.
Juri Taullau, 22 vjeç, student i Mjekësisë, e përshkruan qartë situatën: për të, jeta e përditshme në Shqipëri është para së gjithash një sfidë ekonomike. Jesmina Sengla, 24 vjeçe, punonjëse e një organizate joqeveritare lokale, i paraqet shifrat konkrete në një prononcim për televizionin zviceran SRF:
“Paga minimale është rreth 500 euro, ndërsa qiraja e një apartamenti në Tiranë fillon të paktën nga 400 euro”.
Ky hendek ekonomik lë shumë pak hapësirë për të përballuar shpenzimet, sidomos për studentët, të cilët shpesh nuk kanë mbështetjen financiare të familjes.
Punojnë me kohë të plotë, por përsëri nuk arrijnë të sigurojnë jetesën
Për këtë arsye, shumë të rinj shqiptarë punojnë me kohë të plotë krahas studimeve, por edhe kështu mezi arrijnë të përballojnë shpenzimet. Situata rëndohet edhe më shumë nga fakti se shumë familje nuk kanë mundësi financiare t’i mbështesin fëmijët e tyre.
Por as përfundimi i studimeve nuk e ndryshon shumë këtë realitet. Sipas Jesmina Senglës, edhe të rinjtë me arsim të lartë e kanë të vështirë të gjejnë punë në fushën për të cilën janë përgatitur.
“Ka shumë pak vende të lira pune për njerëzit me kualifikim të lartë”, shprehet ajo.
Vitet e fundit, Shqipëria ka shënuar rritje të vazhdueshme ekonomike, falë lulëzimit të sektorit të turizmit. Megjithatë, vendet e punës të krijuara në këtë sektor janë kryesisht sezonale dhe me paga të ulëta, duke përbërë një bazë të pasigurt për një brez të tërë.
Rreth një e katërta e popullsisë së Shqipërisë, e cila është afërsisht 2,4 milionë banorë, jeton në zonën e Tiranës, ku presioni mbi tregun e banesave dhe atë të punës ndihet veçanërisht shumë.
Korrupsioni, një pengesë e madhe për zhvillimin profesional dhe karrierën
Përveç mungesës së perspektivës në tregun e punës, Juri Taullau sheh një tjetër problem madhor: korrupsionin.
“Vendet e lira të punës u jepen njerëzve që kanë lidhje politike”, thotë ai, duke theksuar se kjo është veçanërisht zhgënjyese për brezin e tij, i cili e njeh edhe realitetin e mundësive që ofrojnë vendet e tjera evropiane.
“Ne i shohim mangësitë e Shqipërisë në krahasim me pjesën tjetër të Evropës”, shprehet Taullau.
Shqipëria përballet prej dekadash me krimin e organizuar dhe korrupsionin e rrënjosur thellë, probleme të cilat vendi nuk ka arritur t’i kapërcejë, pavarësisht përparimit ekonomik.
Jesmina Sengla e përmbledh me një fjali të zymtë gjendjen shpirtërore të brezit të saj: “E tashmja duket e humbur, por edhe e ardhmja”.
Nga protestat e flamingove te vala e demonstratave të përditshme
Që prej muajit qershor, njerëzit në Shqipëri dalin çdo ditë në rrugë për të protestuar. Lëvizja protestuese u bë fillimisht e njohur përmes të ashtuquajturave “protesta të flamengove”, por më pas humbi përkohësisht vrullin.
Vetëm me shfaqjen e protestave studentore, disa javë më parë, nisi një fazë e re dhe më intensive e lëvizjes, raporton SRF.
Që atëherë, demonstratat janë shoqëruar rregullisht me përplasje dhe incidente të dhunshme: protestuesit kanë sulmuar policinë, janë dëmtuar ndërtesa qeveritare dhe janë regjistruar raste të dhunës së rëndë policore.
Jesmina Sengla ia atribuon përgjegjësinë për përshkallëzimin qeverisë. Sipas saj, edhe pas javësh protestash, qeveria ka refuzuar t’u përgjigjet kërkesave të demonstruesve.
Juri Taullau ndan të njëjtin vlerësim, por njëkohësisht bën thirrje për vetëpërmbajtje: “Zgjidhja duhet të jetë paqësore”.
Kërkesa: Rama të largohet dhe një qeveri kalimtare të nisë reformat
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili qeveris prej 13 vitesh. Pas largimit të tij, ata kërkojnë krijimin e një qeverie teknokrate kalimtare, e cila të nisë reforma për të mundësuar më shumë pluralizëm politik.
Prej dekadash, politika shqiptare dominohet nga dy parti, ndërsa ligji zgjedhor, sipas artikullit, vendos në disavantazh partitë më të vogla opozitare.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që prej vitit 2014, por reformat konkrete vazhdojnë të mungojnë.
Për Juri Taullaun dhe Jesmina Senglan, kërkesat janë të qarta: për sa kohë Edi Rama nuk jep dorëheqjen dhe nuk plotësohen kërkesat për ndryshime strukturore, protestat nuk do të ndalen.
Një brez të rinjsh, që beson se nuk ka më asgjë për të humbur, ka vendosur ta ngrejë zërin.
Gazeta RD