Samiti i radhës i NATO-s mund të zhvillohet brenda vitit 2026, por jo në Tiranë, ndërsa mbetet e paqartë se kur do të mbahet takimi i ardhshëm i liderëve të Aleancës.
Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se Shqipëria nuk do të presë një samit në vitin 2027, pavarësisht planeve të mëparshme që parashikonin organizimin e tij në vendin tonë.
Duke folur për mediat në Dublin, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian, Rama tha se ende nuk ka një dakordësi mes vendeve anëtare për datën e takimit të ardhshëm të NATO-s.
“Çështja është se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti, por me siguri jo në vitin 2027. Në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të mbahet në Tiranë”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, sipas Reuters, diplomatët thonë se Aleanca mund të vendosë të organizojë një samit me një njoftim të shkurtër gjatë vitit 2026, por jo në Shqipëri.
Një zyrtar i NATO-s ka konfirmuar se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri, por data ende nuk është përcaktuar.
Planet për organizimin e samitit në Tiranë ishin vënë në pikëpyetje që prej muajit qershor, për shkak të kundërshtimeve të administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësive të disa vendeve anëtare lidhur me nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen.
Në deklaratën e samitit të Hagës, në qershor 2025, liderët e NATO-s kishin parashikuar një takim në Turqi në vitin 2026, të ndjekur nga një tjetër në Shqipëri. Megjithatë, deklarata e samitit të Ankarasë në korrik 2026 nuk përmbante më një përcaktim për vendin apo kohën e takimit të ardhshëm.
Një tjetër faktor është edhe diskutimi brenda Aleancës për të hequr dorë nga praktika e organizimit të samiteve çdo vit, çka e bën ende të pasigurt kalendarin e takimeve të ardhshme./Reuters
Gazeta RD