Shkëlqim LEPENICA
Më 12 nëntor 1944, në hotelin «Bristol» në Tiranë, terrori komunist mori një nga format më të egra të tij. Shqiptarë, intelektualë, patriotë dhe kundërshtarë politikë u ekzekutuan pa gjyq, sepse nuk pranonin t’i nënshtroheshin pushtetit që po instalohej.
Nuk ishte drejtësi. Ishte eliminim politik. Ishte fillimi i një diktature që për 45 vjet do të pushkatonte, burgoste, internonte dhe persekutonte një popull të tërë.
Sot kemi një diktaturë moderne, që nuk sundon më me skuadra pushkatimi, por me mekanizma të tjerë: vjedhjen dhe deformimin e votës, kapjen e institucioneve, korrupsionin galopant, lidhjet e pushtetit me krimin e organizuar, shantazhin ekonomik dhe përdorimin e shtetit si pronë private.
Një pushtet që nuk kërkon të bindë qytetarët, por t’i nënshtrojë. Që nuk u përgjigjet akuzave për korrupsion, por përpiqet të mbrojë të paprekshmit. Që nuk garanton barazinë para ligjit, por ushqen pandëshkueshmërinë.
Kur qytetarët ngrihen për të kërkuar llogari, përgjigjja e pushtetit është gazi lotsjellës, uji me presion, shkopinjtë e gomës, arrestimet dhe dhuna policore. Pamjet e protestave të tetorit dhe nëntorit tregojnë një përballje shqetësuese, ku edhe të rinjtë që dalin për të kërkuar të ardhmen e tyre përballen me një terror policor dhe attestime.
Ky është një pushtet që kërkon të sundojë me frikë, të blejë heshtjen me favore dhe të mbajë kontrollin përmes varësisë ekonomike dhe kapjes së institucioneve.
Ironia më e rëndë historike është se në krye të këtij pushteti qëndron Edi Rama, i biri i Kristaq Ramës, një prej firmëtarëve të dokumentit të dënimit me vdekje të poetit Havzi Nela.
Nuk bëhet fjalë për fajësi të trashëguar nga prindi te fëmija. Bëhet fjalë për një përgjegjësi historike dhe politike: Shqipëria nuk u nda kurrë plotësisht nga e kaluara e saj komuniste dhe sot përballet me një narkoshtet, korrupsion dhe kapje të shtetit.
Dallimi është se atëherë kundërshtarët pushkatoheshin, ndërsa sot përpiqen t’i mposhtin përmes deformimit të votës, presionit, propagandës, varfërimit dhe dhunës ndaj protestuesve.
Një diktaturë moderne nuk ka nevojë për tela me gjemba. Mjafton të kontrollojë institucionet, të deformojë zgjedhjet, të mbrojë korrupsionin dhe të përdorë keimin dhe forcën e shtetit kundër qytetarëve.
Kujtimi i viktimave të Hotel Bristol nuk është thjesht një ceremoni për të shkuarën. Është një paralajmërim për të tashmen.
Nuk mund të ketë demokraci pa zgjedhje të lira. Nuk mund të ketë shtet ligjor pa drejtësi të pavarur. Nuk mund të ketë liri kur protestuesit keqtrajtohen dhe pushteti sillet sikur shteti është pronë e tij.
Ata që u vranë në Hotel Bristol nuk kërkonin një Shqipëri të sunduar nga një parti. Ata meritonin një Shqipëri të lirë.
82 vjet më vonë, kjo mbetet ende beteja jonë, të mos lejojmë që Shqipëria të kthehet përsëri në një vend ku pushteti qëndron mbi qytetarin dhe ligji përkulet para pushtetit.
Këta janë martirët e elzekutuar në muajin e pushtimit komunist, nëntor 1944!
1. Abdulla Saraçi
2. Muharrem Liku
3. Hamit Greblleshi
4. Muntaz Kokalari
5. Vesim Kokalari
6. Syrja Kokalari
7. Azis Blloshmi
8. Muharrem Lleshi
9. Akil Sakiqi
10. Nazmi Uruçi
11. Hasan Dine
12. Bajram Çuka
13. Boris Beleski
14. Fahri Dabulla
15. Faik Shkupi
16. Ismail Petrela
17. Jusuf Allamani
18. Jorgji Mema
19. Jakup Deliallisi
20. Mehmet Dado
21. Kapllan Deliallisi
22. Shefqet Deliallisi
23. Anton Fekeçi
24. Rifat Tërshana
25. Petraq Pekmezi
26. Selman Ali Korça
27. Aleks Mavraqi
28. Selman Shqefni
29. Minella Kotokoci
30. Ndue Pali
31. Selim Brahja
32. Selim Kelmendi
33. Nebil Çika
34. Lluka Xhumari
35. Rakip Kalenja
36. Ali Panariti
37. Subi Topulli
Kujtesë për Martirët! Drejtësi për krimet!
Liri dhe demokraci për Shqipërinë!
Gazeta RD