FBI nis hetimet për ryshfet ndaj ish-Ambasadores që u takua me Ramën

Agjentë të FBI-së kanë mbërritur në Athinë që prej javës së kaluar, në kuadër të hetimeve për akuzat ndaj Kimberly Guilfoyle, ish-ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi, e cila dha dorëheqjen në tetor pas raportimeve për marrëveshje të dyshimta financiare dhe përdorim të ndikimit politik për përfitime personale.

Sipas gazetës greke Kathimerini, agjentët amerikanë po shqyrtojnë prova që lidhen me aktivitetin e Guilfoyle, duke u përqendruar te dyshimet për konflikt interesi, transaksione financiare të diskutueshme dhe shfrytëzimi i lidhjeve politike për të favorizuar interesa private.

Mes çështjeve që po hetohen raportohet të jetë edhe roli i lobistit Christos Marafatsos, i cili ka lidhje me rrethin e Guilfoyle, si dhe kontaktet dhe marrëveshjet e saj me kompaninë e ndërtimit AKTOR.

Ndërkohë, demokratët në Kongresin amerikan kanë bërë të qartë se dorëheqja e ish-ambasadores nuk do të pengojë vijimin e hetimeve parlamentare.

Robert Garcia, i cili pritet të marrë drejtimin e Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, ka kërkuar një hetim të plotë mbi dyshimet për korrupsion, abuzim me pushtetin dhe përdorim të detyrës publike për përfitime financiare personale.

Në një letër drejtuar ish-ambasadores, Garcia thekson se largimi i saj nga administrata nuk e kufizon të drejtën e Kongresit për të vijuar hetimet. Ai i kërkon asaj të ruajë të gjitha dokumentet që lidhen me çështjen, përfshirë emailet, komunikimet zyrtare dhe personale, si dhe materialet që mund të jenë në zotërim të bashkëpunëtorëve apo subjekteve të lidhura me të.

Sipas një raportimi të The Wall Street Journal, të publikuar më 7 tetor, Guilfoyle dyshohet se i kishte kërkuar donatorit republikan Eric Deters të transferonte 100 mijë dollarë drejtpërdrejt në llogarinë e saj American Express, me qëllim shlyerjen e një borxhi personal. Në këmbim, ajo pretendohet se do t’i siguronte atij kontakte me zyrtarë të lartë të administratës Trump.

Deters, i cili sipas raportimit kërkonte ndihmë për çështje personale tatimore dhe ligjore, pretendohet se kishte ofruar gjithashtu një pagesë shtesë deri në një milion dollarë, në varësi të rezultatit të ndërhyrjeve të saj.

Hetimi parlamentar përfshin edhe dyshime për një marrëveshje të mundshme, në të cilën përfitimet financiare shkëmbeheshin me ndikim politik. Sipas demokratëve, dokumentet e siguruara nga komisioni sugjerojnë se në këtë çështje mund të jetë përfshirë edhe Drew Lynch, producent ekzekutiv i emisionit The Kimberly Guilfoyle Show.

Kimberly Guilfoyle shërbeu si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Athinë për më pak se një vit, përpara se të largohej nga detyra në muajin tetor.

About Krye Redaktor

Check Also

Skandal në BE me këngën nacionaliste serbe/ Kosova akuzon Marta Kos, ish-agjente e UDB-së

Ekspertja e politikës së jashtme, Donika Emini, ka rrëfyer se si ndodhi interpretimi i këngës …