Skandal në BE me këngën nacionaliste serbe/ Kosova akuzon Marta Kos, ish-agjente e UDB-së

Ekspertja e politikës së jashtme, Donika Emini, ka rrëfyer se si ndodhi interpretimi i këngës nacionaliste serbe, e cila mohon shtetësinë e Kosovës, gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke e cilësuar ngjarjen si skandaloze dhe jashtëzakonisht problematike.

Në një deklaratë për Telegrafin lidhur me ngjarjen, Emini ka treguar se para hapjes së forumit kishte marrë pjesë në një takim me dyer të mbyllura me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ku qëllimi ishte krijimi i një rrjeti të grave për zgjerimin evropian.

Sipas saj, aktiviteti ishte organizuar për të trajtuar çështjet e Ballkanit Perëndimor dhe kishte nisur me një moment emocional, përmes fjalimit të një nëne nga Srebrenica.

Emini ka shpjeguar se më pas, në hapjen e forumit, ishte paraparë interpretimi i këngëve nga vendet kandidate dhe ato të përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së.

Orkestra kishte interpretuar këngë nga vende të ndryshme, ndërsa për disa prej tyre kishte pasur vetëm shoqërim instrumental. Megjithatë, situata ndryshoi kur erdhi radha e Kosovës.

“Kur shkojmë te Kosova, doli titulli i këngës që ishte shumë problematik dhe më pas u interpretua vetëm instrumental”, ka treguar Emini.

Ajo ka thënë se këngëtari i kishte interpretuar këngët e vendeve të tjera, përfshirë atë të Serbisë, por në rastin e Kosovës nuk e kishte kënduar tekstin, pavarësisht se ishte shfaqur titulli i këngës.

Sipas saj, kjo shkaktoi konfuzion dhe një atmosferë të rëndë në sallë, ndërsa pjesëmarrësit nga Kosova dhe Shqipëria mbetën të shokuar nga ajo që ndodhi.

“Unë u shokova, dola menjëherë jashtë dhe e lëshova sallën. Duke dalë, u kam folur edhe pjesëmarrësve të tjerë nga Kosova dhe kam kërkuar të di se kush e kishte zgjedhur këtë këngë dhe kush ishte përgjegjës”, ka deklaruar ajo.

Emini ka thënë se, sipas informatave që kishte marrë, komisionerja Marta Kos e kishte kuptuar menjëherë se çfarë kishte ndodhur, pasi e njeh gjuhën serbe dhe e kishte parë titullin e këngës.

Megjithatë, ekspertja e politikës së jashtme ka theksuar se nuk e di nëse ngjarja ishte e koordinuar me zyrën e komisioneres apo nëse përgjegjësia i takonte dikujt tjetër në organizim.

Ajo e ka cilësuar veçanërisht problematike mënyrën se si ishte trajtuar Kosova në këtë aktivitet, duke ngritur dyshime edhe për mesazhin politik që mund të përcillte një veprim i tillë.

“U duk sikur kjo këngë ishte zgjedhur për ta kënaqur listën e studentëve që ishin të pranishëm dhe që të nesërmen do të kenë një hapësirë të rëndësishme për t’iu drejtuar audiencës”, ka thënë Emini.

Ajo ka paralajmëruar se nëse një veprim i tillë është bërë nga komisioni apo nga dikush brenda tij, me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, atëherë do të përbënte një hap politikisht të dëmshëm për Bashkimin Evropian, Kosovën dhe rajonin.

Në këtë kontekst, Emini ka përmendur edhe glorifikimin e kriminelëve të luftës në Serbi, duke e lidhur interpretimin e këngës me qasjen nacionaliste që, sipas saj, vazhdon të jetë e pranishme në atë vend.

Ekspertja ka bërë të ditur se të nesërmen ishte paraparë të merrte pjesë në një panel për ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin, por ngjarja e kishte detyruar të rishikonte tërësisht fjalën e saj hyrëse.

Ajo ka qenë në dilemë nëse duhej të merrte pjesë në panel apo ta bojkotonte atë, por ka vlerësuar se platforma, ku do të jenë të pranishëm diplomatë dhe përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, mund të shfrytëzohej për ta adresuar këtë çështje para një audience më të gjerë.

Në fund, Emini ka theksuar se reagimet publike nuk janë të mjaftueshme dhe se rasti duhet të trajtohet edhe në nivel diplomatik, duke shtuar se Marta Kos duhet t’i kërkojë falje popullit të Kosovës.

Ajo ka vlerësuar se incidenti është edhe më problematik për faktin se ndodh në një kohë kur Kosova dhe Bashkimi Evropian po përpiqen të rifreskojnë dhe përmirësojnë marrëdhëniet e tyre.

About Krye Redaktor

Check Also

NATO refuzon zyrtarisht Ramën/ Kreu i Aleancës: Nuk do të ketë Samit në Tiranë

NATO nuk do të mbajë samitin e liderëve të planifikuar për vitin 2027 në Shqipëri, …