Nga Bujar Leskaj
Projektbuxheti 2027 ngre pikëpyetje serioze për cilësinë dhe drejtimin e shpenzimeve publike, duke mos garantuar një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Problemi madhor, krahas nivelit të dobët të financimeve, është mënyra se si shpërndahen fondet publike dhe rezultate konkrete mjerane që praktikisht do ta zerojnë mbrojtjen sociale dhe do ta mbajnë ekonominë në një stanjacion real të rrezikshëm.
I. Projektbuxheti 2027: zero mbrojtje sociale efektive!
Edhe pse sekti Rama e propogandon buxhetin 2027 si më socialin, e vërteta është që për 14 buxhete shtetërore rrjesht nën Rilindjen, Shqipëria vazhdon të mos ketë një minimum jetik të përcaktuar me standard ligjor dhe metodologji zyrtare!
Kemi një sistem ndihme ekonomike që shpërndan mbështetje të kufizuar financiare, por nuk kemi një standard kombëtar që të përcaktojë se cilat janë të ardhurat minimale të nevojshme për një jetë dinjitoze. Qeveria shpërndan ndihmë ekonomike, pa pasur një standard të matshëm të mjaftueshmërisë së saj.
Sipas INSTAT, në vitin 2025, 19% e popullsisë sonë ishte në rrezik varfërie, ndërsa mbi 31% e popullsisë përjeton privim të thelluar material dhe social. Në vitin 2027 planifikohet që numri i familjeve përfituese të ndihmës ekonomike të reduktohet nga 61 mijë në 59 mijë familje. Pra, 2 mijë familje më pak në skemë.
Sekti Rama nuk është në gjendje t’i përgjigjet pyetjes: Sa familje që jetojnë në varfëri mbeten jashtë skemës së ndihmës ekonomike? Suksesi i mbrojtjes sociale nuk matet me numrin e familjeve që largohen nga skema, por me numrin e familjeve që dalin realisht nga varfëria.
Mbrojtja sociale nuk mund të kufizohet vetëm tek transfertat monetare. Ajo duhet të krijojë mekanizma që i nxjerrin familjet nga varësia afatgjatë prej ndihmës ekonomike.
Buxheti 2027 është i katërmbëdhjeti rradhazi që vijon talljen me rehabilitimin dhe dëmshpërblimin real të ish-të përndjekurve politikë. Për vitin 2027 parashikohet një fond prej vetëm 2,05 miliardë lekësh, ndjeshëm më i ulët se niveli prej rreth 3 miliardë lekësh që shpërndahej gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike përpara vitit 2013!
Me ritmin aktual të pagesave, do të duhen ende rreth dy dekada për të përfunduar procesin e dëmshpërblimit! Kjo nuk është thjesht një çështje financiare. Është një detyrim moral, historik dhe institucional.
II. Raport kokëposhtë i investimeve kapitale!
Një nga problematikat kryesore të Projektbuxhetit 2027 është struktura e investimeve kapitale dhe orientimi i tyre sektorial.
Sipas të dhënave të paraqitura për buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për infrastrukturën rrugore parashikohen rreth 35,5 miliardë lekë, ndërsa për hekurudhat rreth 2,35 miliardë lekë. Pra, financimi i rrugëve është mbi 14 herë më i lartë se ai i hekurudhave.
Ky raport evidenton një çekuilibër të dukshëm në politikat e transportit. Vendi ka nevojë urgjente për zhvillimin e transportit hekurudhor, lidhjen me korridoret rajonale dhe evropiane, uljen e kostove logjistike dhe forcimin e konkurrueshmërisë së porteve dhe qendrave tona ekonomike.
Nënfinancimi i hekurudhave rrezikon të vonojë integrimin e Shqipërisë në rrjetet e transportit të rajonit dhe të BE-së, duke kufizuar mundësitë për zhvillimin e transportit të mallrave dhe turizmit.
Projektet e zvarritura, ndryshimet e shpeshta të kontratave, kostot shtesë dhe detyrimet vjetore me dhjetra milionë euro që burojnë nga kontratat koncesionare dhe partneritetet e dështuara publike-private e kufizojnë ndjeshëm hapësirën për zhvillim. Ju pyes: përse inceneratori fantazëm i Tiranës do të marrë edhe për vitin 2027 plot 1 miliardë lekë ose 11 milionë euro?!
III. Mashtrimi 14 vjeçar me shëndetësinë publike
Shëndetësia publike është një nga sektorët ku kontrasti midis premtimeve politike dhe financimit real është më i dukshëm. Për vitin 2027, financimi i shëndetësisë parashikohet në rreth 2,9% të PBB-së, nivel me vite dritë larg objektivit prej 5% të PBB-së, të premtuar nga sekti Rama që në vitin 2013!
Projektbuxheti nuk adreson asnjë nga problemet madhore të shëndetësisë: largimin e mjekëve dhe infermierëve drejt vendeve të BE-së, mungesën e personelit të specializuar, mungesën masive të mjekëve në zonat rurale, furnizimin defektoz e shpesh skandaloz me barna të spitaleve publike dhe kostot e larta që qytetarët përballojnë nga xhepi për shërbimet mjekësore.
Veçanërisht shqetësuese mbetet situata e barnave dhe trajtimeve për sëmundjet e rënda, përfshirë problematikat e denoncuara në shërbimin onkologjik. Edhe ndryshimet në listën e barnave të rimbursueshme krijojnë vështirësi financiare për pacientët që kanë nevojë për trajtime afatgjata.
Një tjetër dobësi madhore e projektbuxhetit është financimi i pamjaftueshëm i kujdesit shëndetësor parësor dhe i investimeve në pajisje diagnostikuese, laboratorë dhe infrastrukturë moderne spitalore.
Transparenca inekzistente e prokurimeve, eficienca e dyshimtë tenderave, kontrolli i kostove dhe cilësia skandaloze e shërbimit për pacientët vijojnë të jenë probleme të pa-adresuara nga ky projektbuxhet.
IV. Arsimi publik: investimi i pamjaftueshëm që rrezikon ekonominë e së ardhmes
Një nga mangësitë më të rëndësishme të Projektbuxhetit 2027 është financimi i pamjaftueshëm i arsimit publik, veçanërisht i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Financimi i arsimit parashikohet në rreth 2,5% të PBB-së, shumë larg objektivit prej 5% të PBB-së të premtuar nga qeveria. Kjo zgjedhje buxhetore është veçanërisht problematike, në një kohë kur Shqipëria përballet me emigrimin e të rinjve, mungesën e profesionistëve dhe nevojën për të kaluar drejt një ekonomie me produktivitet më të lartë.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur analizojmë arsimi i lartë. Financimi për universitetet publike është vetëm rreth 0,4% e PBB-së, ose afërsisht 143 milionë euro. Ky nivel është tre herë më i ulët se mesatarja e vendeve te BE-së.
Edhe kërkimi shkencor mbetet jashtëzakonisht i nënfinancuar, me një alokim rreth 23 milionë euro, ose afërsisht 0,08% të PBB-së.
Kjo do të thotë se universitetet shqiptare edhe për vitin e ardhshëm do të kenë kapacitete të kufizuara për të investuar në laboratorë, pajisje moderne, teknologji, kërkim shkencor dhe programe të reja studimi që lidhen me nevojat e tregut të punës.
Një problem tjetër akut është struktura e investimeve në arsimin profesional. Pjesa dërrmuese e investimeve vazhdon të orientohet drejt ndërtimeve dhe rikonstruksioneve fizike, ndërsa pajisjet laboratorike, makineritë dhe teknologjitë që nevojiten për formimin praktik të nxënësve marrin një pjesë shumë më të vogël të financimit.
Arsimi vazhdon të trajtohet më shumë si një zë shpenzimi buxhetor, sesa si investimi strategjik për ekonominë.
V. Bujqësia: sektori më i nënfinancuar i ekonomisë dhe për 2027-ën!
Bujqësia mbetet një nga sektorët më të dobët të financuar edhe për vitin e ardhshëm, në raport me potencialin e saj ekonomik dhe rëndësinë sociale.
Për vitin 2027, fondet për bujqësinë rriten me vetëm 1.1 miliardë lekë, ndërkohë kur nevojat urgjente të sektorit janë të poaktën 20 herë më të larta. Subvencionet parashikohen në rreth 5,3 miliardë lekë, me një rritje tejet të kufizuar, krahasuar me vitin 2026.
Ky nivel mbështetjeje është tërësisht i pamjaftueshëm për një sektor që duhet të përballojë njëkohësisht kostot e larta të prodhimit, konkurrencën e importeve, fragmentimin e tokës, mungesën e mekanizimit dhe vështirësitë e aksesit në tregje. Ai i zhyt fermerët në një krizë akoma dhe më të rëndë. Fermeri shqiptar ka nevojë për më shumë se subvencione të kufizuara. Ai ka nevojë për një politikë të integruar zhvillimi bujqësor, që të mbështesë investimet në mekanizim, ujitje dhe kullim, magazinim, përpunim, teknologji dhe çertifikim të produkteve të tij.
Në kushtet kur vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian mbështesin fermerët me instrumente të ndryshme dhe të fuqishme financiare, bujqësia shqiptare rrezikon të humbasë edhe më tej konkurrueshmërinë.
xxx
Ja, ky është projektbuxheti historik më i madh për qytetarët tanë. Buxhet me mbrojtje sociale gati zero, pa përparësi strategjike për investimet kapitale, me shëndetësi dhe arsimi publik vite drite larg premtimeve mashtruese të sektit Rama dhe me bujqësi që lihet jetime në tkurrjen e saj.
Paketë fiskale që rëndon biznesin, godet prodhimin vendas dhe rrezikon humbjen e konkurrueshmërisë
Një nga mangësitë dhe problematikat madhore të Paketës Fiskale 2027 është mungesa e një politike të mirëfilltë industriale dhe e masave konkrete për stimulimin e prodhimit vendas, veçanërisht të prodhimit për eksport.
Në një kohë kur ekonomitë e rajonit dhe të Bashkimit Evropian po përdorin instrumente fiskale, tatimore dhe financiare për të mbështetur industrinë e tyre, për të rritur produktivitetin dhe për të tërhequr investime në sektorët prodhues, sekti Rama po ndjek një qasje ku pesha kryesore e politikës fiskale mbetet mbledhja e të ardhurave buxhetore dhe jo krijimi i kushteve për zgjerimin e ekonomisë sonë prodhuese.
Kjo është një zgjedhje fatale sot, pasi një ekonomi nuk mund të mbështetet pafundësisht tek ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe turizmi. Këta sektorë nuk mund të zëvendësojnë një industri konkurruese, një bujqësi të zhvilluar, një sektor përpunues me vlerë të shtuar dhe një bazë të qëndrueshme eksportesh.
Tek ne mungon një paketë fiskale koherente, ta trajtojë prodhimin vendas si një prioritet strategjik. Nuk shohim një politikë të qartë lehtësuese për ndërmarrjet që investojnë në teknologji dhe kapacitete të reja prodhuese. Nuk shohim stimuj të mjaftueshëm për kompanitë që përpunojnë lëndën e parë vendase dhe krijojnë produkte me vlerë të shtuar. Nuk shohim asnjë strategji fiskale të posaçme për eksportuesit, të cilët përballen me konkurrencën e kompanive nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia dhe vendet e BE-së.
Paketa fiskale 2027 nuk kanë asnjë masë që të stimulojnë investimet prodhuese, eksportet, industrinë përpunuese dhe bujqësinë. Duhet të na vijë turp!
Në të kundërt, një nga masat më problematike është ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Kalimi i menjëhershëm i një numri të madh biznesesh të vogla(17.500) në regjimin e TVSH-së, pa një periudhë tranzitore dhe pa masa shoqëruese, krijon probleme serioze për bizneset e vogla, që kanë kapacitete të kufizuara administrative dhe financiare. Shumica e tyre operojnë në tregje ku klientët janë kryesisht konsumatorë familjarë dhe nuk mund të përfitojnë nga kreditimi i TVSH-së.
Për bizneset e vogla që kanë tashmë marzhe të ulëta, ky ndryshim përbën pragun e falimentimit. Një ndryshim i tillë duhet të shoqërohet me zbatim gradual, pragje të diferencuara sipas natyrës së aktivitetit, udhëzime të qarta, thjeshtim administrativ dhe një periudhë përshtatjeje.
Paketë fiskale hipokrite: inflacion i rritur dhe kalim i kostove tek familjet shqiptare
Rritja e TVSH-së nga 20 përqind në 21 përqind mund të duket një shtim i vogël me një përqind, por kur bëhet fjalë për të gjithë gamën e mbi 10 mijë artikujve industrialë dhe ushqimeve që nuk hyjnë në 54 kategoritë e ushqimeve të përditshme dhe mijëra shërbimeve.
Në kushtet kur familjet shqiptare përballen me një nivel shumë të lartë të shpenzimeve për ushqim, energji, strehim dhe shërbime bazë, çdo presion shtesë mbi çmimet shton inflacionin dhe ul fuqinë blerëse të tyre.
Këtu paketa fiskale 2027 shfaqet kontradiktore dhe hipokrite: nga njëra anë gjoja përgjërohet për mbrojtjen e familjeve në varfëri dhe nevojë përmes uljes së TVSH-së për ushqimet e përditshme, nga ana tjetër rrit TVSH-në për 10 mijë mallra të tjera dhe mijëra shërbime.
Pasiguria juridike dhe ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal
Një nga problemet më serioze të klimës së biznesit tek ne, të gjeneruar nga papoërgjegjshmëria ekstreme e sektit Rama në qeverisje, është ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit tatimor dhe fiskal.
Investitori, vendas apo i huaj, nuk kërkon vetëm një normë të favorshme tatimore. Ai kërkon parashikueshmëri. Kur vendos të ndërtojë një fabrikë, të blejë makineri, të punësojë punonjës dhe të hyjë në një treg të ri, ai duhet të jetë në gjendje të parashikojë kostot dhe detyrimet e tij për disa vite.
Nëse rregullat ndryshojnë vazhdimisht, planet e biznesit bëhen më të pasigurta dhe rritet rreziku i investimit.
Veçanërisht shqetësues është fakti i sjellë nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar, anëtar i IFAC, se vetëm ligji për Tatimin mbi të Ardhurat është rishikuar plot 48 herë! Kjo shifër përbën një tregues domethënës të paqëndrueshmërisë së kuadrit tonë tatimor.
Një investitor serioz nuk mund të ndërtojë një strategji afatgjatë në një mjedis ku nuk është i sigurt se cilat do të jenë rregullat tatimore pas një apo dy vitesh. Siguria juridike është një formë kapitali ekonomik. Kur ajo dobësohet, rritet kostoja e investimit, ulet gatishmëria për të zgjeruar aktivitetin dhe dobësohet besimi tek institucionet.
Arroganca, mungesa e konsultimit me shoqatat e biznesit dhe humbja e konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë
Projektbuxheti dhe paketa fiskale 2027 nuk janë në gjendje të rendisin qoftë dhe një masë të vetme pro-biznes. Procesi i hartimit të Projektbuxhetit dhe Paketës Fiskale 2027 është ndërmarrë në arrogancë dhe injorim të plotë të rrugëve të komunikimit dhe konsultimit me shoqatat e biznesit, në një kohë kur shoqatat e biznesit njohin më mirë se kushdo problematikat konkrete të sektorëve që përfaqësojnë. Ato mund të identifikojnë kostot e fshehura të një ndryshimi fiskal, pasojat mbi punësimin, vështirësitë e administrimit dhe rrezikun që një masë e caktuar të prodhojë efektin e kundërt nga ai i synuar.
Reformat që prekin drejtpërdrejt mijëra ndërmarrje nuk duhet të hartohen vetëm nga administrata publike. Ato duhet të jenë rezultat i një dialogu real me shoqatat e biznesit, dhomat e tregtisë, përfaqësuesit e industrisë, kontabilistët, eksportuesit dhe grupet e tjera të interesit.
Konsultimi nuk duhet dhe nuk duhet të jetë një procedurë formale, ku biznesi njoftohet për vendimet, pasi ato janë marrë. Paketa Fiskale 2027, e hartuar pa dialog konstruktiv me biznesin, ka humbur jo vetëm mbështetjen e sipërmarrjes, që është diçka shumë e rëndë, por edhe efektivitetin ekonomik të saj.
Gazeta RD