Rënia e trurit është më e rëndë se çdo rënie tjetër!

Nga Elona CASLLI

Nga të gjitha rëniet që mund t’i ndodhin njeriut gjatë ekzistencës më e rënda është rënia e trurit.
Mund të të bien çelësat nga duart. Përkulesh dhe i merr. Mund të të bien syzet. Përkulesh dhe i merr. Mund të të bjerë në tokë çdo objekt tjetër i pajetë dhe me pak përpjekje, mund ta rikthesh në vendin e vet, por ka një rënie që nuk mund ta zhbësh dot, një rënie që nuk njeh rikthim: rënia e trurit.
Nëse të bie truri, nuk ka më një pozicion të mëparshëm ku mund ta vendosësh. Është një rënie e pakthyeshme.
Kryeministrit, me sa duket, i ka rënë truri dhe në përpjekje për ta gjetur e për ta rivendosur në vendin e vet, akuzon këdo për çdo lloj rënieje.
I gjendur i vetëm, pa një argument bindës që të përligjë vijimin e qëndrimit të tij në pushtet, ai zgjedh të tallet dhe të nëpërkëmbë çdo zë kundërshtues. Në vend të argumentit logjik, paraqet përçmimin dhe vend të bilancit qeverisës, sulmin.
Avokatia e vetme politike, që i ka mbetur duket se është Taulant Balla, i cili është mishërimi i një provincializmi mendor të pandreqshëm.
Të jesh provincial në kuptimin gjeografik nuk përbën asnjë problem. Të jesh provincial në mendim është çështje tjetër, sepse provincializmi mendor është burgosje e mendjes brenda kufijve të vendit, të mjedisit ku je lindur e rritur. Është pamundësia për ta çuar mendimin përtej rrethit tënd të ngushtë, për ta vënë në lëvizje dhe për ta lejuar të zhvillohet. Një mendje e tillë nuk zgjerohet. Një mendje e tillë përsërit dëshpërimisht vetveten.
I paaftë të paraqesë një bilanc bindës të tri mandateve qeverisëse (sepse një bilanc i tillë do ta ekspozonte përballë dështimeve të pamohueshme) dhe në kërkim të trurit të rënë, kryeministri duket se ka vënë në lëvizje mercenarët mediatikë, me një udhëzim të vetëm:
*«Në pamundësi për të përligjur qëndrimin tim në pushtet, theksoni mungesën e një alternative që mund të më zëvendësojë. Unë mund të jem i pambrojtshëm përballë bilancit tim qeverisës, por ata duhet të paraqiten si të papranueshëm për shkak të opozitarizmit që bëjnë».
Kështu, debilizimi i argumentit në studiot televizive, i ushqyer nga të ashtuquajturit «analistë», ka arritur në një pikë ku duket se mungon vetëm slogani përfundimtar:
«Qeverisja është e pambrojtshme, por opozita është e papranueshme!»
Nëse një vëzhgues i huaj do ta shihte nga jashtë këtë skenë politike, natyrshëm do të ngrinte një pyetje: Mos vallë Shqipëria është në kërkim të zëvendësuesit të Friedrich Nietzsche-s, Samuel Beckett-it, Jorge Luis Borges-it, Ernesto Sabato-s apo Fyodor Dostoevsky-it?
Mos qenka kaq e jashtëzakonshme mendja e kryeministrit shqiptar, sa zëvendësimi i saj të përbëjë një ndërmarrje kaq të vështirë intelektuale?
Nëse dikush do të guxonte t’i përgjigjej kësaj pyetjeje, nuk do t’i duhej të bënte ndonjë kërkim të gjatë. Mjafton të rendiste skandalet qeveritare, aferat me vlera miliardëshe dhe paratë e zhvatura nga xhepat e shqiptarëve për të kuptuar se çështja nuk është mungesa e një zëvendësuesi, por mungesa e përgjegjësisë përballë një bilanci tragjik.
Pas përgjigjes, dëgjuesit mund t’i kujtohet vëzhgimi i një vizitori të huaj në Shqipërinë e vitit 1992, drejtuar shqiptarëve pas vizitave në institucione të ndryshme në Shqipëri :
«Qartazi, juve ju duhen shumë investime në Shqipëri, por mbi të gjitha, ju duhet një psikiatër, sepse traumat e diktaturës janë të rënda dhe do t’ju shoqërojnë për vite me radhë».*
Post Scriptum- Në mungesë të një psikiatri për krizën politike, duhet theksuar se ftesa për bashkimin e të gjithë shqiptarëve rreth kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike është urgjencë kombëtare. Gjithçka tjetër vjen më pas.

About Redaksia

Check Also

Burokracia europiane… streha e fundit e një narkodiktatori!

Nga Iva V.GRILLO Kryeministri Rama, i diskretituar brenda dhe jashte vendit, i përçmuar nga bashkatdhetarët …