Përplasja mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt sa vjen e thellohet.
Kryebashkiaku, që ndodhet në paraburgim në Fier, ka nisur shkarkimin e disa drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, të konsideruar si njerëz të afërt me kryeministrin, vetëm pak orë pasi kryeministri e sulmoi në Asamblenë e P-së së Tiranës.
Rama tha në Asamble se Veliaj po shkarkon njerëz për arsye personale, madje edhe vetëm sepse nuk shpërndajnë postimet e tij në rrjetet sociale.
Shkarkimet mund të jenë hakmarrje politike e Veliajt ndaj Ramës, por duken parë se cilët njerëz ka larguar, ato duhen përgëzuar.
Rigers Sheqeri, simboli i një administrate që nuk duhet mbrojtur
Emri i parë që është shkarkuar është Rigers Sheqeri, kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Tiranës.
Sheqeri nuk është bërë i njohur për ndonjë arritje të jashtëzakonshme në administrimin e territorit apo për ndonjë reformë në institucionin që drejtonte, apo se ka qenë ndonjë student me rezultate të shkëlqyera. Maksimumi ai njihet në Tiranë si shitës makinash të përdorura me kilometrazh të ndryshuar.
Një nga episodet që e solli atë së fundi në vëmendjen e publikut ishte shfaqja e tij me një bandë me shkopinj në dorë pranë selisë së Partisë Socialiste, gjatë përplasjeve me protestuesit, ku ai u pa duke sharë e kërcënuar protestuesit.
Për Sheqerin janë ngritur edhe akuza për korrupsion dhe sjellje banditeske. Një qytetare e denoncoi publikisht se i kishte kërkuar 10 mijë euro që të mos i prishte shtëpinë.
Veliaj ka firmosur edhe largimin e Zhaneta Beqirit, drejtoreshës së Përgjithshme të Kopshteve dhe Çerdheve.
Për këtë shkarkim janë përdorur si argument shkelje të rënda dhe dëme ekonomiko-financiare të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Përplasja mes Ramës dhe Veliajt po nxjerr në sipërfaqe një problem më të madh se marrëdhënia personale mes tyre.
Ajo po tregon se cilët individë kanë drejtuar institucionet dhe për ç’arsye janë emëruar. /Zoom.al
Gazeta RD